Përmes një mesazhi që ndërthur krishtërimin, patriotizmin dhe të qënit nënë, Giorgia Meloni ka fituar një mbështetje kaq të madhe saqë muajin që vjen, ajo mund të bëhet gruaja e parë në postin e kryeministrit të Italisë dhe udhëheqësja e parë e ekstremit të djathtë, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Edhe pse partia e saj “Vëllezërit e Italisë” ka rrënjë neofashiste, zonja Meloni është përpjekur ta largojë vëmendjen nga e kaluara e saj, duke u shprehur se votuesit janë lodhur nga diskutime të tilla.

Zgjedhjet e 25 shtatorit do të përcaktojnë nëse 45 vjeçarja Giorgia Meloni do të bëhet kryeministrja e ardhshme e Italisë. 100 vjet më parë, në shtatorin e vitit 1922 erdhi në pushtet Benito Musolini, diktatori fashist i Italisë.

Në vitin 2019, zonja Meloni prezantoi me krenari kandidatin Caio Giulio Cesare Mussolini, stërnip i diktatorit, si një nga kandidatët e saj për Parlamentin Evropian, megjithëse ai përfundimisht humbi.

Meloni dëshiron që në arenën ndërkombëtare partia e saj të vlerësohet si konservatore dhe jo e ekstremit të djathtë, kur flitet për mundësinë që ajo të marrë postin e kryeministres.