Policia e Lezhës ka arrestuar një 67-vjeçar, administrator i një subjekti i cili merrte në mënyrë të kundërligjshme inerte duke gërryer në  lumin Mat.

Sipas uniformave blu mësohet se administratori në momentin e kontrolleve nga shërbimet policore ka kundërshtuar, për të mos lejuar kontrollin.

Policia ka sekuestruar 3 kamionë dhe 1 eskavator

“Specialistët për hetimin e krimeve ekonomike në DVP Lezhë në bashkëpunim me shërbimet e DRIKMT Lezhë, në kuadër e zbatim të Planit të Masave “Për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve mjedisore dhe krimeve që cënojnë regjimin juridik të tokës”, si dhe bazuar në informacionet policore të administruara nga inteligjenca informative për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale në qarkun e Lezhës, kanë vijuar kontrollet intensive, ku kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast duke finalizuar operacionin policor të koduar “River Cries “.

Si rezultat, nga kontrollet e zhvilluara edhe gjatë natës, u arrestua në flagrancë shtetasi 67 vjeç, banues në Fushë Milot, administrator i një subjekti për nxjerrje inertesh.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kamionë të mbushur me materiale inerte dhe 1 ekskavator brenda në lum.

Në momentin që shërbimet policore kanë shkuar për kontroll te subjekti, administratori i arrestuar i ka kundërshtuar me qëllim moslejimin e kontrollit”, tha policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme