28 shtator 2015 – Në shkollat e Durrësit mungon kultura e instalimit të veprave të artit. Skulptura e parkut e artistit Alfred Kedhi “Gjelat mbi pus”, për të cilën kujdesen nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Vasil Ziu” është një shembull që duhet ndjekur nga institucionet tona arsimore.
Gjatë 30 vjetëve të fundit, shkolla “Vasil Ziu” ka ndryshuar disa herë emrin, por në oborrin e saj ka mbetur i paprekur kompozimi skulpturor “Gjelat mbi pus”. Vepra artistike është punuar në vitin 1987 nga skulptori Alfred Kedhi, i cili në atë periudhë ishte mësues vizatimi në të njëjtën shkollë.
Në gjithë këto vite, nxënësit dhe mësuesit janë kujdesur për veprën artistike, e cila sjell mjaft kënaqësi, dhe po ashtu i bën fëmijët të reflektojnë edhe për jetën e tyre të përditshme.
Në kushtet kur veprat artistike të këtij lloji mungojnë thuajse tërësisht në shkollat tona 9-vjeçare e të mesme, skulptura e parkut në shkollën “Vasil Ziu” përbën një shembull që duhet ndjekur.
/portali DurresLajm/





