SHBA – Një ditë më parë, “Daily Mail” në faqen e saj online kishte publikuar një lajm për reperin Jay Z me bashkëshorten e tij, Beyonce, që së bashku me vajzën e tyre të vogël Blue Ive po drekonin në restorantin “Gjelina” në Los Angeles. Nga një kërkim i shkurtër në Daily Mail me emrin Gjelina të del se dhe yje të tjerë të kinematografisë dhe muzikës, si Reese Witherspoon, Lindsay Lohan etj, kanë zgjedhur shpesh për të drekuar apo darkuar në këtë restorant.

Por nuk është qëllim i këtij shkrimi fakti për të treguar se ku hanë vaktet yjet e Hollivudit, por se pronari i këtij lokali me emër shumë të veçantë dhe aspak amerikan është një shqiptar. Nga një kërkim i thjeshtë në motorin e kërkimit në Google mëson se pronar i lokalit “Gjelina” është shqiptari Fran Camaj, i cili biznesit të tij i ka vënë emrin e gjyshes.

Veç faktit se restoranti frekuentohet në masë nga VIP-at amerikanë, restoranti rekomandohet për t’u vizituar nga shumë site që merren me kulinarinë si dhe nga të përditshmet amerikane, që në vite të ndryshme i kanë kushtuar rëndësi faktit se çfarë e bën të suksesshëm dhe mjaft të preferuar “Gjelinën”.  

“Gjelina” është një restorant i njohur në bulevardin “Abbot Kinney”, me një kuzhinë dhe ambjent tipik mesdhetar. “Gjelina” është një ndër restorantet më të frekuentuara në Los Angeles, edhe për shkak të përzgjedhjes së ushqimeve nga prodhuesit vendorë të kësaj zone.

Sipas mediave amerikane pronari i saj shqiptar po mendon të hapë një tjetër restorant në po të njëjtën zonë. Lokali i ri do të ketë një hapësirë prej 1248 metra katrorë dhe do të ketë hapësira të rezervuara për barin dhe restorantin. Emri i lokalit të ri, që ende është në proces ndërtimi nuk është bërë i ditur prej pronarit Fran Camaj.