Një libër i mbështjellë me lëkurën e një prej vrasësve më famëkeq të Britanisë së Madhe do të ekspozohet në vitrinën e një muzeu, bashkë me një tjetër të ngjashëm.

BBC raporton se punimi është bërë duke përdorur lëkurën e William Corder, një burri të dënuar për vrasjen e Maria Marten në vitin 1827, në atë që njihet si Vrasja e Hambarit të Kuq. Libri u gjet në zyrën e një muzeu.

Dan Clarke, një ekspert i fushës tha se librat kanë vlerë “shumë të rëndësishme” historike. Autori i “Horrible Histories”, Terry Deary tha: “Këta janë dy libra që do të doja t’i digjja”.

Vrasja e vitit 1827 në Polstead, Suffolk ishte shokuese në atë kohë dhe është kthyer në frymëzim për shumë filma, libra, shfaqje dhe këngë popullore.

Versioni më i famshëm është që Corder kishte një lidhje jashtëmartesore me Marten. Ai i kërkoi të takoheshin te Hambari i Kuq, një vend i famshëm që të arratiseshin në Ipswich dhe të martoheshin. Por ai e qëlloi, e vrau dhe e varrosi në hambar. Më pas u kap dhe u ekzekutua më 11 gusht 1828.

Trupi i tij u copëtua dhe një pjesë e lëkurës u përdor për të mbështjellë një libër që rrëfen historinë e gjyqit të tij.

Libri tjetër u gjet gjatë një kontrolli në katalogun e muzeut. Ai ishte dhuruar dekada më parë nga një familje me lidhje të ngushta me kirurgun që u mor me trupin e Corder. Ndryshe nga libri i parë, lëkura gjendet vetëm në lidhjen e librit dhe në cepat e tij.

Libra të tillë ishin të zakonshëm në shek. XIX për të ndëshkuar të burgosurit e ekzekutuar ose krijoheshin nga mjekët që donin të ruanin një kujtim.