Mëngjesin e së premtes, me datë 23 nëntor, shkolla e mesme “Naim Frashëri”, organizoi një aktivitet në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Sipas nën-drejtoreshës së kësaj shkolle Znj. Hedvina Sopi, e cila ishte dhe organizatore e këtij aktiviteti, në eventin e së premtes janë shfaqur 10 numrat më të mirë të përzgjedhura këto nga një konkurs që është zhvilluar për dy javë rresht mbi temën e Pavarsisë. Në këtë konkurs dy javor kanë marrë pjesë të gjitha klasat e shkollës, pra 32 klasa me 3 numra përfaqësues. Numrat kanë qenë të zhanreve të ndryshëm duke filluar që nga këngët, vallet e trevave të ndryshme në Shqipëri, pjesë në violinë, këngë, ese, etyd. Në këtë konkurs dy javor janë shfaqur pothuajse të gjithë zhanrat artistikë. Klasat pjesëmarrëse janë vlerësuar me çmime të ndryshme. Janë dhënë tre çmime për performancën më të mirë në rang klase dhe katër çmime për interpretimin më të mirë, kryesisht për talentet.

 

Klodiana Saraçi, maturante, Naim Frashëri

Ne jemi bërë pjesë e një jubileu gjigantesk shpirtëror ku vorbulla ylberistike e ngjyrave nxjerr në pah instiktin e te qënit shqiptar. Të gjithë nxitojnë që të jenë pjesë e 100 vjetorit aq më tepër kur ky i fundit zerohet me më shumë kuptim se çdo herë tjetër. Kuptimësia vijon të shndërrohet në personalitet, personaliteti në bashkim dhe bashkimi nën një kohë plot sharm trimëror, i cili valëzon nën dallgët e një ere patriotike. Ambjentet janë tjetërsuar saqë duket sikur i janë bashkuar për të 100-ën herë karvanit që përcolli Ismail Qemalin në Vlorë e që jetësoi ëndrrën tonë për të qenë pjesë e këtij idealizimi thellësisht planimetrik. Duket se atmosfera kuq e zi ka kapluar çdo centimetër të platformës shkollore dhe e ka kapitur deri në atë pikë saqë edhe shkëlqimi gjithpërfshirës i së verdhës vezulluese nuk mund të ndryshojë asgjë, vetëm sa e kristalizon më tepër brishtësinë e këtij eventi retrospektiv. Çdo njeri ngultazi kërkon të pikturojë qoftë edhe një krah shqiponje si për të treguar se vlershmëria e këtij 100 vjetori ka filluar të rrjedhë bindshëm në damarët gjaknxehtë të nxënësve gjimnazistë. Kulmimi i këtij episodi lodhjeje ishte sot më datë 23.11.2012 ku u mbajt një aktivitet, i cili rizgjoi për të disatën herë klithmën e shqiponjës në fluturim, kur kupton më në fund se qiellin nuk e sundon askush tjetër përveç saj.