Teuta ka arritur një fitore tepër të vyer ndaj Kukësit, duke mos i lejuar vetes një hap fals në këtë pikë të sezonit. Mbrojtësi i Teutës, David Gjinollari, bëri një ndeshje shumë të mirë kundër Kukësit. I aktivizuar për herë të parë si titullar që nga ardhja e tij në Durrës në verë, mbrojtësi ishte shumë i rrezikshëm më daljet nga krahu.

Gjinollari shprehet se suksesi erdhi pas një grinte të treguar nga minuta e parë nga të gjithë shokët e ekipit. Për mbrojtësin, takimi me Tiranën është një përballje e fortë. Një fitore në një ndeshje të vështirë si ajo me Tiranën do të ishte një hap tjetër drejt ngjitjes në renditje.

Sa vlera kishte kjo fitore ndaj Kukësit?

Ishte një përballje të cilën e kishim vlerësuar në maksimum për vetë pozitat ku ndodheshim në klasifikim. Mendoj se në përgjithësi kemi zhvilluar një lojë mjaft të mirë, që ka ardhur në rritje. Përballë kemi pasur një kundërshtar të fortë dhe që luan hapur në çdo fushë. Kjo ishte si një finale për ne, të cilën e fituam. Kjo fitore na ka vlejtur shumë për të arritur qetësinë e duhur para përballjes me Tiranën. Një fitore e ardhur pas një grinte të treguar nga minuta e parë nga të gjithë shokët e ekipit. Besoj që këtë dëshirë dhe grintë do ta tregojmë edhe në takimin me Tiranën.

Çfarë ju gëzon më tepër pas kësaj ndeshjeje?

Ajo që më gëzon më shumë është se vijuam ecurinë e mirë përballë një skuadre të vështirë për t’u mundur. E falënderoj ekipin tim, sepse tregoi shpirt të lartë gare për 90 minuta në fushë. Mund të them se merituam plotësisht këtë sukses, sepse duhet pranuar se e dominuam komplet lojën.

Ndeshja e parë si titullar në Superiore dhe bëtë mirë në aspektin personal…

Falë Zotit arritëm ta fitonim, trajneri më ka dhënë shumë besim pasi ai është pozicioni im i duhur dhe ndihem shumë mirë. Ishte një fitore me vlera, e cila na jep shpresë për vazhdimësinë. Megjithatë, puna që na pret është mjaft e madhe, ndaj duhet të përqendrohemi për javët e ardhshme.

Çfarë prisni nga ndeshja ndaj Tiranës?

Do të jetë një takim tepër i vështirë për ne. Tirana ka një ekip të mirë, këtë e ka treguar edhe në këtë sezon. Prandaj mund të them pa asnjë hezitim se do të kemi një përballje të vështirë.

Si ndiheni tek Teuta?

Teuta më pëlqen shumë si ekip dhe mezi pres të shoh çfarë më rezervon e ardhmja. Mendoj se kam ardhur në ekipin e duhur dhe ambiciet e klubit përkojnë me të miat. Uroj të arrijmë synimet tona dhe t’i dhurojmë sa më shumë lumturi tifozërisë.