Gjykata e Posaçme shtyn për më 7 maj seancën gjyqësore ndaj kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, seancë të cilën, nëse ajo apo avokatët mungojnë, gjyqi do vijojë në mungesë.
Ultimatumi i gjykatës u dha, për shkak të mungesës së përsëritur në gjyq të avokatëve dhe të vetë të pandehurës.
Pasi caktoi gjobë nga 10 mijë lekë ndaj dy avokatëve, gjyqtarja Irena Gjoka pohoi se do të njoftohet e pandehura Bufi, se nëse në seancën e radhës nuk paraqitet e pandehura ose avokatët, gjyqi do të vijojë në mungesë.
Procesi ndaj zyrtares vendore të akuzuar për “përdorim të funksioneve publike për veprimtari zgjedhore”, ndodhet në fazën e konkluzioneve të mbrojtjes.
Më herët, SPAK ka kërkuar deklarimin e fajshëm të saj, dënimin me 1 vit e 6 muaj burg, dënim që u ul në 1 vit për shkak të gjykimit të shkurtuar. Në përfundim, SPAK kërkoi pezullim të dënimit me burg dhe lënie të Bufit në shërbim prove për 2 vjet.
Më 14 nëntor 2025, kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, është marrë e pandehur nga SPAK. Ajo akuzohet për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike”, parashikuar nga neni 328/a/3.





