Mungesa e teksteve, zhvillimi i mësimit me dy turne dhe në ambiente aspak të përshtatshme janë disa nga problematikat që nuk po gjejnë zgjidhje në sistemin arsimor.

 

Përgatitjet për nisjen e vitit të ri mësimor për sistemin parauniversitar po nxjerrin në pah problematikat e trashëguara nga vitet e shkuara në qytetin e Durrësit. Duket se ka ende shumë punë për të bërë për të garantuar mbarëvajtjen e këtij vitit të ri, i cili është në prag. Shkollat kanë nisur tashmë rregjistrimet dhe shpërndarjen e teksteve mësimore, po ashtu si dhe vitet e mëparshme pajisja me tekste nuk është garantuar e plotë për të gjitha vitet e sistemit parauniversitar. Shpërndarja e teksteve nisi një javë më parë, por ende ka mungesa për tekste të caktuara.

Nga ana tjetër pamundësia për ndërtimin e shkollave të reja do t’i detyrojë këtë vit shumë nxënës të arsimit nëntëvjeçar që të zhvillojnë mësim me dy turne. Problematike situata paraqitet edhe në arsimin e mesëm, ku për shkak të nisjes së rikonstruksionit të gjimnazit “Naim Frashëri”, nxënësit e kësaj shkolle do të detyrohen ta bëjnë mësimin pasdite në shkolla të tjera. Në një intervistë për “Dyrrah” drejtori rajonal i Arsimit në Durrës, Filip Gjonçi, nuk e shmangu shqetësimin se shkolla e re e zonës së ish-Kënetës, investimi madhor që pritet të vihet në funksion këtë vit arsimor, ka sjellë kaos përsa i përket rregjistrimit të gjimnazistëve. Nuk dihet nëse kjo shkollë do të përfundojë apo jo para nisjes së vitit të ri arsimor, që starton më 10 shtator.

Drejtoria Arsimore po mendon dy variante: hapjen e shkollës me 200 nxënës ose çeljen e dyerve të saj vetëm në semestrin e dytë, me kapacitetin e plotë të saj prej 450 nxënësish. “Jemi në diskutim e sipër dhe gjithçka varet nga koha e mbylljes së punimeve”,- tha Gjonçi i cili iu përgjigj interesimit tonë edhe mbi shpërndarjen e teksteve mësimore, punësimin e kuadrove të rinj në arsim dhe situatën aktuale në shumë shkolla të qytetit, që kanë nevojë për rikonstruksion të plotë apo të pjesshëm.

Zoti Gjonci, këtë vit keni rregjistruar një numër të madh ankesash nga prindërit që nuk duan t’i rregjistrojnë fëmijët e tyre në shkollën e re në zonën e ish-Kënetës. Si po veproni me këto raste? 

Nëse ka ankesa të tilla, që do të thotë se fëmijët e këtyre personave banojnë jo në Kënetë dhe jo afër kësaj zone, pra ku gjeografikisht dhe ligjërisht u takon të studiojnë ata absolutisht do të rregjistrohen aty ku u takon me ligj dhe ku kanë dëshirë. Ne kemi një sfidë për këtë shkollë, ku qeveria po bën një investim të madh. Ne pretendojmë që në datën 10 shtator të çojmë atje kuadrot më të mirë të arsimit. Kjo shkollë nuk duhet refuzuar as nga komuniteti i banorëve të zonës së ish-Kënetës. Kjo do të jetë një nga shkollat më të mira përsa i përket infrastrukturës dhe kushteve që ofron. 

A do të hapet në 10 shtator shkolla e re?

Kemi dy variante në tavolinë për diskutim. Mendojmë që fillimisht të dërgojmë aty nxënësit e klasave të 10-ta, do të jenë rreth 200 nxënës në vitet e para. Nëse shkolla nuk do të jetë gati këta nxënës do të fillojnë shkollën tek dy gjimnazet pranë stadiumit, ku do të punohet me rregjistra të veçantë. Pas përfundimit të punimeve ata do të shkojnë në atë shkollë. Ndërsa varianti B është për hyrjen në shkollë të 450 nxënësve, aq sa është kapaciteti i saj, kur të mbyllen përfundimisht të gjitha punimet. Në ditët e ardhshme do të vendoset gjithçka.

Zoti Gjonci meqënëse hapet një shkollë e re ky është edhe një lajm i mirë për të gjithë ata që duan të punësohen në arsim. Sa është numri i aplikantëve?

Kemi 2200 mësues në sistemin arsimor dhe mbi 4000 kërkesa nga mësuesit e rinj për vende të reja pune. Aktualisht po zhvillohen konkurset për punësimin e arsimtarëve të rinj. Kemi bërë katër konkurse deri tani. Por këto konkurse nuk vlejnë vetëm për një vend pune, sidomos për lëndët e ashtuquajtura të vështira. Zhvillimi i konkursit na jep mundësinë për vëmendje reale. Kjo nuk do të thotë që doli e dyta në konkurs dhe nuk e fitoi vendin e punës, por kjo na jep mundësinë edhe për rastet e ardhshme që na presin që të kemi në një farë mënyre gati pretendentë më të zotë.

Mbi çfarë kriteresh bëhet përzgjedhja e mësuesve të rinj? Sa të favorizuar janë ata që kanë përfunduar edhe masterin?

Përzgjedhja bëhet në bazë të dosjes. Ne shpallim konkursin në katin e parë në stendën përkatëse, mbledhim dokumentacionin dhe kryesore është mesatarja dhe dokumentacioni që sjellin aplikantët. Mësuesi që merr pjesë në konkurs është i detyruar që të sjellë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Problemi i masterit do të zgjidhet me ligj nga Ministria e Arsimit. Modaliteti i të punësuarve me master dhe stazh përbën një hallkë të rëndësishme përsa i përket problematikës së punësimit në sistemin arsimor. Ligji kështu rregullon punësimin duke shmangur emërimet që bëheshin më parë nga ana e Drejtorisë Arsimore dhe abuzimet e ndryshme që mund të bëhen.

Problemet e konstatuara vitet e shkuara lidhur me shpërndarjen e teksteve shkollore po vihen re edhe këtë vit. Shpërndarja është kthyer në monopol të dy distributorëve në Durrës dhe cilësia e teksteve lë shumë për të dëshiruar. Ç’mund të na thoni për këto dy çështje?

Kjo është mëse e vërtetë dhe faleminderit që e ngrini si problem që edhe ne si drejtori të marrim masa në këtë drejtim. Në Durrës janë dy distributorë për shpërndarjen e teksteve në të gjitha shkollat nëntëvjeçare dhe të mesme. Shpërndarja ka nisur në të gjitha shkollat e rrethit të Durrësit dhe prindërit mund të shkojnë dhe të marrin tekstet. 

Shkollat që kanë nevojë për rikonstruksion

“Marie Kaçulini” – Ka nevojë për rikonstruksion të plotë dhe të menjëhershëm. Godina është tejet e amortizuar

“Bedrie Bebeziqi” – Krejtësisht e papërshtatshme për zhvillimin e mësimit. Ajo është transformuar nga godinë banimi në institucion arsimor

“Hajdar Dushi” – Çatia është jashtë funksionit. Në këtë situatë, në katet e sipërme është pothuajse e pamundur të zhvillohet mësim

Shkolla e fshatit Metrallaj në Maminas dhe ajo e fshatit Draç në Ishëm kanë nevojë për rikonstruksion total

Në dijeninë time, setet e librave këtë vit kanë mungesa minimale, vetëm në dy vite mungon një tekst siç është gjuha e huaj, sepse shtëpitë botuese i kanë në botim e sipër. Por ajo që kam vënë re është se tekstet kushtojnë dhe ne do të kërkojmë cilësi përsa i përket lidhjes së librave, në të kundërt do të ndërpresim kontratat me distributorët. Kam vënë re që ka ankesa nga prindërit në këtë drejtim.

Nga ajo që ne kemi vënë re nëpër shkolla është fakti se tekstet po shpërndahen jo në pak raste të pa shoqëruar nga kuponat tatimorë. Kjo përbën një rast të pastër evazioni fiskal dhe u heq mundësinë familjeve në nevojë të përfitojnë kompensimin.

Unë do t’u bëja thirrje të gjithë prindërve që për çdo set librash të marrin edhe kuponin tatimor. Është e drejta e tyre. Jo vetëm ata prindër që përfitojnë nga skema e rimbursimit duhet ta marrin, por të gjithë duhet ta tërheqin kuponin tatimor. Për çdo rast konstatimi të abuzimeve të kësaj natyre ju bëj thirrje prindërve, që ankesat të vijnë dhe t’i paraqisin në Drejtorinë Arsimore për t’i ndëshkuar më pas abuzuesit sipas asaj që parashikon ligji.

Prej më shumë se 5 vjetësh godinat e shkollave nuk lyhen madje as klasat dhe ambientet e tjera. Pse ka ndodhur kjo gjë?

Këtë vit bashkia ka parashikuar rikonstruksionin e shkollës së mesme “Naim Frashëri”, rikonstruksion i cili pritet të nisë pas disa javësh, dhe ne nuk e dimë akoma si do t’i japim zgjidhje problemit me nxënësit, të cilët do të shkojnë të zhvillojnë mësimin gjatë turnit të dytë në ndonjë shkollë tjetër. Ndërsa lyerja është detyrë e bashkisë. 

Ky institucion nuk ka akorduar asnjë fond për këtë qëllim. Ne do t’i lyejmë shkollat me ndihmën e nxënësve. Do të kërkojmë që të kontribojnë familjet e tyre individualisht për lyerjen e çdo klase dhe meremetimet e nevojshme që kanë nevojë. Bashkia duhet ta kishte kryer këtë proçes gjatë sezonit veror, por ka gjashtë vjet që nuk merr asnjë masë në këtë drejtim. 

Madje mund të them që kemi një problematikë shumë të madhe në disa shkolla nëntëvjeçare për sa i përket nevojës urgjente për rikonstruksion të tyre.

Cilat janë shkollat që kanë nevojë për ndërhyrje të menjëhershme? 

Problematikën do ta ndaja në dy çështje: mbingarkesë në klasa dhe gjendja e godinave shumë e keqe. Në Durrës shkolla nëntëvjeçare “Marie Kaçulini” kërkon rikonstruksion të plotë dhe të menjëhershëm. Kanalizimet e kësaj shkolle janë jashtë funksionit, ndërsa godina është tejet e amortizuar ashtu si edhe palestra.

Shkolla  nëntëvjeçare “Bedrie Bebeziqi” është krejtësisht e papërshtatshme për zhvillimin e mësimit. Kjo shkollë është transformuar nga godinë banimi në institucion arsimor për nxënësit. Problem është edhe shkolla “Hajdar Dushi”. 

Çatia është jashtë funksionit dhe pikon në masë të madhe. Problemi qëndron në faktin se në katet e sipërme në këtë situatë është pothuajse e pamundur të zhvillohet mësim. Ndërsa në komuna dhe bashki të tjera situata është më e mirë. Janë vetëm dy shkolla problematike në nivel qarku. Është shkolla e fshatit Metrallaj në Maminas dhe ajo e fshatit Draç në Ishëm. Të dyja këto shkolla kërkojnë rikonstruksion total.

REAGIMI

Bashkia nuk ka fonde

Të gjitha institucionet arsimore kanë 6 vjet që nuk lyhen dhe kjo sepse Bashkia dhe Drejtoria Arsimore nuk kanë gjetur gjuhën e mirëkuptimit për këtë çështje. ''Bashkisë i është kërkuar që për çdo shkollë të ketë projekt godinë më vete, ashtu si për çdo klasë. Ne i kemi kërkuar projektet nga Drejtoria Arsimore Rajonale, por nuk na janë vënë në dispozicion. Përsa kohë ne nuk i disponojmë këto projekte nuk mund të realizojmë lyerjen. Për këtë arsye shkollat kanë 6 vjet që nuk lyhen, pavarësisht se bashkia kishte vënë në dispozicion 100 milionë lekë për të gjitha objektet arsimore, një vit më parë, ndërsa këtë vit buxheti është mjaft i reduktuar për shkak të krizës”,- tha Ana Koçi, nga drejtoria e Arsim Kulturës në bashki.