13 dhjetor 2014 –  Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, beson në pafajësinë e sportistëve shqiptarë që rezultuan pozitivë ndaj substancës stanozolol në testet e antidopingut, duke aluduar për një “puç” grek ndaj tyre. Daniel Godelli, Hysen Pulaku e Romela Begaj kryen fazën stërvitore para Botërorit në Greqi nën kujdesin e Luan Shabanit dhe presidenti Gjoza është drejtuar pikërisht drejt Greqisë, ku ka zhvilluar një takim me ish-peshëngritësin shqiptar Luan Shabani, ku i ka kërkuar llogari se çfarë ka ndodhur me peshëngritësit shqiptarë. Presidenti Gjoza deklaron se ka patur një kontratë, sipas së cilës Luan Shabani do të ishte edhe trajner i përfaqësueses sonë në Botërorin e Kazakistanit, madje duke garantuar se asnjë sportist nuk do të kishte probleme dopingu.

“Luan Shabani, në kuadrin e trajnerit kombëtar të peshëngritjes, më deklaroi që sportistët janë të pafajshëm. Kontrolli për ekipin kombëtar ka qenë nën kujdesin e vazhdueshëm të atij vetë dhe të mjekëve që ai ka pasur në dispozicion. Me garancinë që më dha trajneri Luan Shabani, nuk e di sa e vërtetë është, por këtë garanci nuk dua ta shpërdoroj”, tha kreu i FSHP-së.

Kjo ndodh për herë të parë, që një trajner të stërvisë dhe drejtojë dy përfaqësuese në Botëror, edhe pse bëhet fjalë për një kontratë jopublike, pasi realisht trajneri i Daniel Godellit është Sokol Bishanaku, ashtu siç është Gazmend Haksani i Romela Begajt, e megjithatë gjithçka do të kalonte pa u vënë re, pa këto mosmarrëveshje tashmë të bëra publike. “Në marrëveshje ne përfshimë edhe shëndetësinë, edhe traumat, edhe gjithë problemet që do të kishin sportistët.

Trajneri Luan Shabani e miratoi dhe ra dakord që Qendra Sportive Shëndetësore e Qendrës Olimpike në Greqi do të ishte në dispozicion të ekipit kombëtar grek, njëkohësisht edhe të ekipit kombëtar shqiptar”, deklaroi Elez Gjoza. Pas gjithë kësaj, tashmë çdo gjë shndërrohet në alibi e teori konspirative, për vendime të marra sigurisht nga Federata jonë, si për marrëveshjen me Federatën greke, me Luan Shabanin, ashtu edhe për gjithçka ka ndodhur në Greqi, duke qenë se sportistët dhe një pjesë e stafit kanë qëndruar atje për mëse 6 muaj. Bashkë me 3 sportistët shqiptarë, Luan Shabani ka patur nën drejtimin edhe 3 sportistë grekë, të cilët nuk rezultuan pozitivë për doping. I vënë përballë këtij fakti, Luan Shabani ka lënë të kuptohet për një konspiracion përballë shqiptarëve.

“I kam thënë tekstualisht: E para, kontrollohen 3 sportistë grekë nën kujdesin tonë dhe nuk dalin pozitivë, kontrollohen 3 sportistë shqiptarë dhe dalin pozitivë. Unë i bëra të qartë, kush mund të jetë xheloz për ne, mund të jenë kinezët, rusët, koreanët, jo i thashë, për ne xhelozë mund të jeni ju grekët! Kush është ai shtet që ka interes, që të na dëmtojë neve, siç janë dëmtuar edhe shumë shtete të tjera? Për mua, i dashur trajner, vendi që do të ishte xheloz për Shqipërinë është Greqia dhe këtë do ia lemë të ardhmes. Mbase nuk do që të flasim, por do të flasësh ti vetë, të prononcohesh, e më pas do të flasë edhe Federata”, zbulon bisedën presidenti Gjoza.