Një grup banorësh nga zona e Kënetës kanë mbërritur pak minuta më parë pranë Bashkisë së Durrësit, ku kanë ndezur qirinj në kujtim të dy të miturve që humbën jetën në aksidentin tragjik të së dielës.

Karvani i makinave bllokoi përkohësisht një korsi qarkullimi në aksin përballë sheshit “Liria”, për t’u drejtuar më pas drejt shkallëve të bashkisë. Aty, qytetarët ndezën qirinj dhe mbajtën një minutë heshtje në shenjë respekti për dy vogëlushët, të moshës 9 dhe 12 vjeç, jeta e të cilëve u ndërpre tragjikisht teksa po luanin në trotuarin pranë banesave të tyre.

Banorët nuk preferuan të bëjnë deklarata për mediat, por theksuan se marshimi i paralajmëruar për nesër pritet të jetë masiv.