Gjykata cakton arrestim të përkohshëm për Jurgen Kaçurrin dhe Arjanit Malokun me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçurri, të vetmit shqiptarë të arrestuar të mërkurën brenda territorit të vendit tonë, në mesin e 61 urdhër-arresteve me vendim të drejtësisë italiane, dolën sot para Gjykatës së Durrësit për rivlerësim të masës së sigurisë me efekt ekstradimi.
Edhe pse dy ditë më parë ishte SPAK që zbarkoi me kontrolle të befasishme në Manzë të Durrësit, masat janë të firmosura nga Gjykata e Brescias dhe rivlerësimi bëhet nga gjykatat lokale ku bëhen arrestimet.
Në operacionin e dy ditëve më parë, i cili nisi në të njëjtën kohë, rreth orës 04:00 të mëngjesit, u shtri në disa shtete, Shqipëri, Itali, Poloni dhe Zvicër me një total prej 61 urdhër-arrestesh, 17 prej të cilëve shqiptarë, dhe u përmbyll me vetëm 21 ekzekutime, për grupin e madh që kishte mundur të trafikonte 2.340 kg kokainë me vlerë 200 milionë euro nga Amerika Latine në Europë.