MAT- Akuzat për korrupsion e shpërdorim detyre për disa kryekomunarë në Mat, duket se janë rrëzuar në gjykatë për mungesë provash. Sot është dhënë masa detyrim paraqitje për kreun e komunës Rukaj, Hamit Xhakrosa dhe shefin e financës së kësaj komune Gani Ruka, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe falsifikim së bashku me disa kryekomunarë të tjerë. 

Pak ditë më parë kjo gjykatë la të lirë për mungesë provash dy kryetarët e Komunave Xibër e Gurrë, përkatësisht Lutfi Çeka e Mustafa Çelami. Prokurori i çështjes ka deklaruar se do apelojë për të akuzuarit që ata të kthehen në burg. 

Hamit Xhakrosa, me detyrë kryetar i komunës Rukaj dhe Lutfi Ceka me detyrë kryetar i komunës Xibër u akuzuan për veprat penale të "falsifikimit të dokumenteve" dhe "shpërdorimit të detyrës", pasi dyshohet se ishin përfshirë në një skemë mashtrimi me fondet publike. Për këtë çështje u akuzuan edhe disa persona të tjerë, përkatësisht nëndrejtori i Spitalit të Burrelit, Behar Metra, Etion Isufmani, me detyrë shef finance në spitalin e Burrelit, shefi i financës në komunën Rukaj, Gani Ruka, si dhe Hajredin Bardhi, shef finance në komunën Baz. 

Gjithçka lidhet me disa prokurime me vlera të zhvilluara pranë autoriteteve kontraktuese që u përkasin komunave Derjan, Rukaj, Xiber, Gurre, Suç, Baz, Drejtorisë së Shendetit Publik Mat, Drejtorise së Spitalit Burrel, Qëndrat Shëndetesore Rukaj, Derjan, Macukull, Ulëz, etj. Sipas prokurorisë, ka rezultuar se shtetësja Yllka Selita është regjistruar më datën 1 janar 2006, si person fizik në regjistrin tregtar me numër NIPT K67617924D, me objekt tregtim artikujsh të ndryshëm me shumicë dhe pakicë, punime të ndryshme ndërtimi, shërbime të ndryshme, transporti turistik, këmbime valute. 

Por, në të njëjtën kohë, ka rezultuar se subjekti i njohur me emrin tregtar "Yllka Selita", në periudha të ndryshme, që përkojnë nga viti 2006 e deri më tani, ka marrë pjesë në mënyre fiktive në prokurimet me vlera të vogla të zhvilluara pranë Autoriteteve Kontraktuese që u përkasin Komunave Derjan, Rukaj, Xiber, Gurre, Suç, Baz, Drejtorisë së Shëndetit Publik Mat , Drejtorisë së Spitalit Burrel, Qëndrat Shëndetësore, Rukaj, Derjan , Macukull, Ulëz, etj. 

Prokuroria e Matit beson se procedurat kryheshin në mënyrë fiktive vetëm me qëllimin që të bëhej i mundur kalimi i fondeve të përcaktuara për shërbime apo blerje të mallrave të ndryshëm. Të gjitha fondet pasi kalonin në llogarinë bankare të shtetases ‘Yllka Selita’ transferoheshin në një llogari tjetër dhe konkretisht tek llogaria bankare e shtetasit, Dritan Farrici. 

Nga hetimi është provuar fakti se shtetasi Dritan Farrici të gjithë shumat e parave që kalonin në llogarinë e tij i tërhiqte kesh nga banka dhe më pas ua jepte shefave të financave ose kryetarëve të autoriteteve kontraktuese, duke mbajtur në çdo rast 10% të çdo shume që tërhiqte, konstatoi Prokuroria e Përgjithshme.