Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata ka vendosur 30 ditë burg të tjera për Ervis Martinaj, një nga protagonistët e përfshirë në masakrën e 4 tetorit në ish-Bllok.

Gjykata ka lënë kështu në fuqi të njëjtën masë për biznesmenin pas provave të reja të paraqitura nga prokuroria. Prokuroria siguroi prova të reja për vrasjen në ish-Bllok, të cilat rëndojnë pozitën e Ervis Martinaj, aktualisht në burg. Prokuroria ka zbuluar biseda në aplikacionet Whatsapp dhe Telegram të Martinajt me miqtë e tij pak minuta para ngjarjes ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha.

E pikërisht me viktimën por edhe disa miq të tjerë duket se ka komunikuar 36-vjeçari Martinaj. Gazetarja Lala duke cituar burime nga prokuroria, raportoi se kur Martinaj është paraqitur në lokalin Monopol iu ka kërkuar miqve të afroheshin dhe të paraqiten aty të pajisur me armë.

Pra, sipas prokurorisë nuk ka qenë takim i rastësishëm siç ka thënë Martinaj në dëshminë e tij dhe sherri nuk ka pasur si shkak ngacmimet e këngëtares Elvana Gjata por konflikte të mëparshme. Kjo është një provë e re por ekspertiza e telefonit mund të nxjerrë të tjera detaje. Ndërkohë në bazë të provave balistike, rezulton se Martinaj nuk ka qëlluar me armë mbrëmjen kur ndodhi ngjarja.