Këtë të enjte, një i ri nga Mitrovica u dënua nga gjykata e Durrësit me 4 muaj burg, i akuzuar për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, sipas nenit 186/1 të Kodit Penal.

Vendimi për 24-vjeçarin me emrin Islam Islami, u dha nga gjyqtari pranë gjykatës së Durrësit, Petraq Çurri, i cili nuk e mori për bazë kërkesën e Prokurorisë për të riun, që ishte me masë detyrim paraqitjeje.

Korrekt me organin e akuzës, pa rrezikshmëri shoqërore dhe i mashtruar nga të tjerë, ky i ri kosovar u dënua sot me burg, duke përbërë kështu një nga rastet e rralla që gjykatësi nuk i merr parasysh këto lehtësira në favor të të pandehurit, por e dënon me burg. 

Madje, edhe për të njëjtat çështje të tjera analoge, vendimet që ka dhënë ky gjykatës kanë qenë me detyrim paraqitjeje.

Por fati i keq i këtij të riu qëlloi që të ishte me emër fetar mysliman, dhe me prejardhje kosovare, që nuk janë fort në dëshirën e mirë të gjykatësit me origjinë greke që qëlloi të gjykonte çështjen e tij.

Si qëndron problemi me gjyqtarin Petraq Çurri, për të cilin koha ka dëshmuar se jep vendime me dy standarde, dhe për mungesë të theksuar profesionalizmi, është kërkuar dhe shkarkimi i tij nga detyra?!

Petraq Çurri, është po i njëjti gjykatës, i cili liron nga burgu të akuzuarit si baronë droge që janë të dënuar në Itali me 20 vite burg për trafik heroine; dhe nga ana tjetër mban në burg, kundër Prokurorisë e të gjitha rrethanave lehtësuese, një djalë të ri 24-vjeçar që akuzohet se ka falsifikuar kartën e identitetit.

Në janar të vitit 2018, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, i kërkoi KLD-së shkarkimin e gjyqtarit të Durrësit Petraq Çurri (lexo këtu), pasi gjatë hetimit disiplinor ka rezultuar se ky gjyqtar kishte kryer shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit në dhënien e vendimit për mosmiratimin e arrestit të shtetasit Alket Hatija dhe lirimin e tij.

Por kur i kanë mbetur ende dhe 3 vite për të dalë në pension, dhe akoma nuk ka kaluar në sitën e Vetingut, ku do të gjykohet në bazë të 3 kritereve: ligjshmërisë së pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale; ky gjyqtar me prona të shumta dhe me shkelje të rënda gjatë ushtrimit të profesionit të tij, vazhdon ende të veprojë në sistemin tonë të drejtësisë duke dhënë vendime paradoksale, raciste dhe aspak profesionale.