Në procesin gjyqësor në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së — Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi — më 23 prill, Gjykata vendosi të pranojë tërheqjen e një prej viktimave, duke theksuar se pjesëmarrja e viktimave në proces është vullnetare dhe e bazuar në respektimin e të drejtave të tyre procedurale.

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, gjatë konferencës javore për media.

    Gjithashtu, më 29 prill, Trupi Gjykues refuzoi kërkesën e mbrojtjes së Veselit për të apeluar një vendim verbal që kishte të bënte me dorëzimin e shënimeve nga një takim përgatitor me një dëshmitar. Sipas Gjykatës, dokumenti në fjalë — një deklaratë e vitit 2001 — ishte tashmë në posedim të mbrojtjes.

    Po atë ditë, Gjykata rrëzoi edhe një kërkesë të përbashkët nga ekipet mbrojtëse për të apeluar pranimin si provë të një deklarate të mëparshme të një dëshmitari që kishte refuzuar të përgjigjej në pyetjet e Prokurorisë. Gjykata theksoi se mbrojtja kishte pasur mundësinë ta merrte në pyetje dëshmitarin dhe se vlefshmëria e deklaratës do të vlerësohet në shqyrtimin përfundimtar të provave.

    Në të njëjtën konferencë, Griep njoftoi se mbrojtja planifikon të dorëzojë deri më 2 qershor një kërkesë të përbashkët për hedhjen poshtë të akuzave. Pas kësaj, Prokuroria ka afat 30-ditor për të dhënë përgjigjen e saj. Më pas, do të jetë radha e përfaqësuesit të viktimave për të paraqitur provat e tij.

    Ndërkohë, në një proces të ndarë që lidhet me akuzat për ndikim te dëshmitarët, Hashim Thaçi më 15 prill u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat. Më 24 prill, kryetarja e Gjykatës, Ekaterina Trendafilova, caktoi një panel apelimi për të shqyrtuar kërkesën e Fadil Fazliut për shtyrjen e afatit për apelimin e vendimit për vazhdimin e paraburgimit. Por kjo kërkesë u refuzua më 25 prill, pasi ishte dorëzuar jashtë afatit dhe nuk kishte arsyetime të pranueshme për vonesën. Gjykata shtoi se paraburgimi rishqyrtohet çdo dy muaj dhe mbrojtja ka afat deri më 5 maj për të paraqitur argumentet e saj.

    Në fund, u bë e ditur se është krijuar edhe Paneli i Gjykatës Kushtetuese për të trajtuar kërkesën e Salih Mustafës, i cili pretendon se një vendim i Gjykatës Supreme të 25 shkurtit ka shkelur të drejtat e tij themelore. Paneli përbëhet nga gjyqtarët Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Pjotr Hofmanski.