TIRANE – Prokuroria e kryeqytetit u ka dhënë fund hetimeve ndaj ish-gjyqtarit Neritan Tabaku, i cili do të përballet me drejtësinë për akuzën e shpërdorimit të detyrës në dëm të interesave të shtetit.
Burime të Top Channel konfirmuan se njësia task-force thotë në kërkesën për gjykim Dhomës Penale se Tabaku ka dëmtuar interesat e Prokurorisë në momentin që nuk ka zbardhur brenda afateve dy vendime të shkallës së parë, duke lënë në ngërç për një kohë të gjatë gjykimin në apel të shtetasve Ilir Xhakja dhe Jordan Findiku.
Prokuroria vijon me tej duke argumentuar se ish-gjyqtari ka dëmtuar gjithashtu imazhin e gjyqësorit. Duke radhitur argumentat e tij prokurori i çështjes Julian Zonja mësohet se e akuzon ish-gjyqtarin se për më shumë se një vit ai vonoi zbardhjen e vendimit të pafajësisë për Ilir Xhakjen që akuzohej për vrasjen e Qerim Malokut, kurse për mos zbardhjen e vendimit për pothuajse dy vjet për shtetasin tjetër që gjykohej për falsifikim, Jordan Findiku, ia sjell ne vemendje gjykates se kryeqytetit si rrethanë rënduese.
Nuk jepen të dhëna nga organi i hetimit nëse në episodin e parë, por edhe në të dytin prokurori të ketë dhënë shpjegime nëse ish-gjyqtari ka vonuar me dashje zbardhjen e këtyre dy vendimeve që detyruan Prokurorinë të bëjë thjesht një ankimim formal pa patur pjesën arsyetuese të këtyre dy verdikteve. Neritan Tabaku u shkarkua nga detyra pak ditë më parë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë pas apeleve të shumta të këtij institucioni që ai të ishte i pranishëm. Gjatë kësaj seance presidenti Bujar Nishani në funksionin e kreut të KLD-së theksoi se është e papranueshme ekzistenca e rasteve të tilla, ku vetë gjyqtarët bëhen pengesë dhe privojnë palët nga ushtrimi i të drejtave kushtetuese.
Marrë nga TOP CHANNEL