Policia spanjolle ka goditur një rrjet që merrej me kultivim të lëndëve narkotike.

Janë gjetur 11 plantacione dhe janë arrestuar 20 persona, ku mes tyre edhe shqiptarë. Mediat spanjolle shkruajnë se grupi kriminal drejtohej nga dy burra që punonin si “kopshtarë” të ardhur enkas nga Shqipëria për të kultivuar kanabis për tre-katër muaj përpara se të ktheheshin në vendin e tyre.

Anëtarët e tjerë të organizatës ishin përgjegjës për logjistikën dhe paketimin e drogës së prodhuar. Rrjeti kishte edhe një elektricist. Me djalin e tij, ai ishte përgjegjës për projektimin dhe vënien në punë të të gjithë instalimeve elektrike.

Afro 4000 bimë u sekuestruan së bashku me 12 kg marijuanë të tharë të përgatitur për shpërndarje. 20 trafikantët e arrestuar dolën para gjykatës më 2 mars dhe gjyqtari vendosi në paraburgim shtatë prej tyre, ndërsa të tjerët u lanë të lirë me kusht në pritje të gjykimit të çështjes.