Një operacion i gjerë antidrogë është zhvilluar në Itali, ku autoritetet kanë goditur një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun e sasive të mëdha të kokainës dhe kanabisit.
Sipas mediave italiane, gjatë aksionit janë arrestuar 26 persona, mes të cilëve edhe një shtetas shqiptar, i dyshuar si furnizues i drogës me bazë në Romë.
Operacioni u zhvillua nga karabinierët e njësisë speciale ROS dhe efektivët e Skuadrës Fluturuese, të cilët ekzekutuan urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata e Palermos. Bastisjet u përqendruan në lagjet Villagrazia, Santa Maria di Gesù dhe Villaggio Santa Rosalia.
Sipas hetimeve të koordinuara nga Drejtoria e Qarkut Anti-Mafia, janë zbuluar dy organizata kriminale që merreshin me trafikimin e drogave të forta dhe të buta. Autoritetet italiane dyshojnë se trafiku i kokainës drejtohej nga një grup i lidhur me “familjen” mafioze Santa Maria di Gesù, ndërsa furnizimi realizohej përmes një shqiptari në Romë ose nga bregu i Kalabrisë.
Të arrestuarit akuzohen për komplot në trafikun e drogës, aktivitet kriminal me metoda mafioze dhe për dhjetëra raste të dokumentuara të shitjes së lëndëve narkotike.





