Goga Basket për femra ka mposhtur 79-74 Tiranën në ndeshjen që çeli javën e gjashtë të Kampionatit Kombëtar në Basketboll për femra, Grupi A, duke mundur jo vetëm një rivale direkte për titull por edhe duke mbetur e pamposhtur.

Pas 6 javësh, skuadra durrsake kryeson renditjen me 12 pikë të plota, tashmë shkëputur 3 pikë nga një trio që e ndjek pas (Flamurtari, Tirana dhe Studenti).

Sfida e luajtur sot në mbrëmje në Durrës në përgjithësi është dominuar nga skuadra vendase, që edhe pse vuajti disi në periodën e tretë, arriti të rikuperojë dhe fitojë me meritë ndaj bardhebluve.

Tirana duket se ka një ngërç ndaj dy ekipeve që ka sipër vetes në renditje, pasi pëson humbjen e dytë në kampionat ndaj Gogës (është mundur edhe nga vlonjatet) edhe p[se për një moment dha përshtypjen se mund të fitojë.

Durrsaket dominuan pjesën e parë, u shkëputën 42-36, por bardheblutë rikuperojnë në çerekun e tretë, duke dalë përpara 54-55. Por basketbollistet e Goga Basket rikuperojnë shpejt, shkëputen dhe fitojnë 79-74. Një paraqitje të mirë këtë sezon po bën edhe Studenti, që mundi me lehtësi 56-34 Vllazninë, duke korrur suksesin e tretë dhe për momentin siguron një vend në play off.