Goga Basket ka mposhtur 86-71 Tiranën në takimin kryesor të javës së 15-të të Kampionatit Kombëtar në Basketboll për femra, duke i shkaktuar bardhebluve humbjen e parë sezonale. Një fitore që ka shijen e hakmarrjes për skuadrën durrsake, pas humbjes në fazën e parë, ndaj dhe të dyja ekipet ndajnë kreun mes tyre pas përfundimit të kësaj jave (Flamurtari kampion ishte pushim këtë javë).

Ndeshja e sotme u luajt në “Fahrie Hoti”, aty ku Goga Basket e dominoi takimin, duke e udhëhequr atë që nga fillimi deri në fund. Pjesa e parë është disi më e ekuilibruar, Tirana rivalizon, por është gjithnjë në ndjekje të ekipit durrsak, që e ruan avantazhin edhe në çerekun e tretë.Perioda e katërt bën diferencën në fushë, me basktbollistet e trajnerit Moja që shkëputen vazhdimisht, pavarësisht dëmtimit të një lojtare. Tirana nuk arrin të rivalizojë dhe pëson humbjen e parë në kampionat, disfatë që mund t’i kushtojë shumë.