Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato inspektoi sot disa prej investimeve në infrastrukturë në bashkinë e Beratit, të cilat janë realizuar me financime të Bashkimit Evropian.

Këto projekte përfshijnë nga ura në Bilçë mbi lumin Osum, e financuar plotësisht nga Bashkimi Evropian, te rruga e re që të çon drejt malit të Tomorit, dhe nga mbrojtja e brigjeve të lumit pranë Goricës, deri te pamjet panoramike të lumit Osum.

“Me një pritje të ngrohtë nga ish-kryetari Ervin Demo dhe kryetari në detyrë Ervin Ceca, çdo ndalesë sot na kujtoi pse ky qytet është një nga thesaret kulturore të Shqipërisë dhe një destinacion kyç për turizmin e qëndrueshëm”, vlerësoi ambasadori Gonzato.

Me mbi 6 milionë euro grante nga BE-ja të investuara përmes “Modelit të Zhvillimit Ekonomik Vendor të Udhëhequr nga Turizmi”, në partneritet me BERZH dhe të zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, këto projekte shkojnë përtej punimeve ndërtimore.

Ambasadori vlerësoi se ato përmirësojnë aksesin, mbrojnë trashëgiminë kulturore dhe natyrore dhe krijojnë mundësi të reja për komunitetet lokale.

Gonzato u shpreh se ato janë gjithashtu pjesë e mbështetjes më të gjerë të BE-së që po ndihmon në formësimin e një Berati më të lidhur dhe të qëndrueshëm.

“Krenohemi që jemi partnerë me qytetin e Beratit për të promovuar turizmin e qëndrueshëm dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve të tij. Investimet e BE-së shkojnë përtej infrastrukturës. Ato mbështesin një vizion të rritjes gjithëpërfshirëse, ku turizmi, trashëgimia dhe komunitetet lokale bashkohen për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme, një të ardhme që e afron Shqipërinë me BE-në. Kjo është mënyra se si BE-ja mbështet Shqipërinë për të përmirësuar jetën e përditshme të njerëzve”, u shpreh ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.