Greit është një djalë inteligjent, i bukur, por dhe shumë kërkues dhe ambicioz. Nëse ndeshesh në rrugë me të nuk të shpëton nga vëmendja ky djalë i gjatë dhe me trup atletik. Jo më kot, për këto cilësi ai u zgjodh djali më i bukur i Durrësit për këtë vit. Me shiritin e Mister Durrësit ai kërkon të shkojë larg dhe t’i përkushtohet një bote që e ka ëndërr që i vogël. Arritjet e tij në fushën e modelingut nuk janë të rastësishme, pasi ka nisur që herët t’i përkushtohet pamjes dhe fizikut të tij. Greit i ka pëlqyer gjithmonë modelingu. Si trampolinë për të depërtuar në këtë realitet kaq shumë të dëshiruar i shërbeu spektakli “Miss dhe Mister Durrësi 2012”. Në këtë konkurs bukurie, i cili u zhvillua në muajin maj, bukuroshi 18 vjeçar u kurorëzua me çmimin “Mister Durrësi”. Më pas më 25 gusht Greit mori pjesë tek “Miss & Mister Beauty Albania” ku këtë herë ai kurorëzohet sërisht me titullin “Mister Beauty Albania 2012”, duke fituar kështu të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë në “Manhunt International 2012”. Greit pas një jave niset drejt Tajlandës, për të marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar të bukurisë, ku janë përzgjedhur meshkujt më të bukur të planetit. Tashmë durrsaku Greit është përfaqësuesi i parë zyrtar i Shqipërisë në këtë konkurs. Bukuroshi durrsak ka objektiva të caktuara në jetë, por dyert e suksesit nuk e mohon se mund t’i hapen pas konkursit “Manhunt International 2012”. Meqenëse Shqiperia përfaqësohet nga një durrsak, le të jetë kjo një arsye më shumë për të bërë të mundur që emri i qytetit tonë të dëgjohet në çdo cep të botës. Shqipëria dhe Durrësi pret që ai të jetë njëri prej djemve më të bukur në botë. Para nisjes zhvilluam një intervistë me 18 vjeçarin, për të zbuluar edhe anë të tjera të karakterit të tij, veç bukurisë fizike, që tashmë është e njohur për shumë nga ata që e kanë parë nga afër.

Ju do të jeni djali që do të përfaqësoni vendin tonë në “Manhunt International 2012”. Do t’a nis menjëherë nga ajo që ndoshta njerëzit e konsiderojnë një lloj pasaporte. Do të doja të dija emër, mbiemër, gjatësi, përmasa këto për të cilat njerëzit janë kureshtarë…

Emri im është Greit Çollaku. Sapo kam mbushur 18 vjeç. Jam i gjatë 190 cm.

Modelingun e keni patur ëndërr që i vogël, apo e kultivuat më vonë dëshirën për t’u bërë model?

Më vonë. Kur isha i vogël më pëlqente të vishesha bukur. Kam patur dëshirë të stiloja flokë. Shpesh herë më ndodhte të bëja parukierin për gjyshen time (nënën e mamasë sime). Merrja krehërin, tharësen e flokëve në duar dhe krihja gjyshen. Më pëlqente ta shihja të qeshur e të bukur në çdo moment pranë meje.

Cili është komplimenti më i bukur që ju është bërë?

Më ndodhi pikërisht sot. Dikush më tha: t’i je djali i asaj, vajzës të cilën po gjuaja unë. E kishte fjalën për nënën time. Nëna ime është e bukur dhe shumë e re.

A keni tatuazhe në trupin tuaj dhe çfarë simbolizojnë ato?

Po, kam katër tatuazhe. Njërin e kam në kurriz Buddha, i cili simbolizon qetësi, ekuilibër. Tek krahu kam inicialet e familjes. Kam dhe një tribal. Tashmë ka ardhur koha t’i them mjaft tatuazheve, sepse fusha me të cilën kam vendosur të merrem nuk m’i lejon. Unë kam dhe një vath në veshin e djathtë, gjë që paragjykohet nga bashkëmoshatarët e mi. Do të vë dhe një tjetër në të ardhmen. Unë tashmë e kam treguar që jam mashkull, nuk ka të bëjë në kam apo jo vëth në vesh.

Kur isha i vogël më pëlqente të vishesha bukur. Kam patur dëshirë të stiloja flokë. Shpesh herë më ndodhte të bëja parukierin për gjyshen time (nënën e mamasë sime). Merrja krehërin, tharësen e flokëve në duar dhe krihja gjyshen. Më pëlqente ta shihja të qeshur e të bukur në çdo moment pranë meje

Me një bukuri trupore dhe pamje për t’u patur zili. A i keni këto tipare të trashëguara nga prindërit?

Të dy prindërit e mi si nëna dhe babai besoj se kanë qenë dhe janë një ndër çiftet më të bukur në Durrës. Kam trashëguar nga të dy cilësitë më të mira.

A keni motër, ose vëlla?

Kam një motër dhe një vëlla. Kemi komunikim shumë të mirë me njëri-tjetrin. Shpesh herë i them tim vëllai që t’i kushtojë shumë rëndësi studimeve, që në të ardhmen të bëhet dikushi.

Ju tashmë jeni i njohur për publikun durrsak. Çfarë ndjesie ka kjo gjë tek ju?

Më ndodh të eci rrugëve të qytetit tim dhe njerëzit më shikojnë me shumë vëmendje. Unë jam një djalë që nuk shikoj se duhet të vesh patjetër diçka firmato, për të rënë në sy. Më pëlqen të vishem sa më thjesht, një palë xhinse të përthyera dhe një kapele për mua janë praktike.

Kush ka qenë shtytje që ju të futeshit në këtë fushë?

Mami më ka ndenjur shumë pranë me këshillat dhe frymëzimet prej nëne. Që të dy prindërit e mi janë kujdesur për mua, që unë të arrij këtu ku jam sot.

Nëse do t’ju kërkonin të pozonit nudo, ju do ta bënit?

Jo, absolutisht jo. Me veshje intime do të pozoja me shumë kënaqësi.

Cila stinë ju pëlqen? Kush është veshja juaj e preferuar për stinën e vjeshtës?

Më pëlqen shumë stina e dimrit. Veshja ime e preferuar për stinën, në të cilën ndodhemi është ajo serioze e ndërthurur me sportiven. Vishem shumë hollë brenda dhe më pëlqen të hedh krahëve një kapotë.

A jeni i dashuruar?

Po. Dashuroj një vajzë vorioepiriote.

Ju jeni nga Durrësi. Qyteti ynë ka dhënë prova që ka shumë vajza dhe djem të bukur. Ndjen krenari që je durrsak?

Jam shumë krenar që jam durrsak. Para se të vija këtu isha në Tiranë në një studio duke bërë foto. Kur u ktheva, sapo hyra në Durrës mu duk sikur po hyja në shtëpinë time. Një relaks i paparë. Një ndjesi e tillë që i ngjan asaj kur je lodhur dhe shtrihesh në shtrat për t’u qetësuar. Kështu është për mua Durrësi.

Përgatitjet tuaja për pjesëmarrjen tënde në “Manhunt International 2012”…

Pas një jave nisem për në Bangkok, Tajlandë, sepse konkursi zhvillohet me datë 1-11 nëntor. Tashmë po bëj regjim, ushqehem me vitamina, po merrem me palestër, të gjitha këto nën kujdesin e prindërve të mi të dashur.

Planet tuaja në të ardhmen?

Shqipëria për mua nuk ka asnjë të ardhme në fushën e modelingut. Më duhet të vazhdoj një shkollë modelingu jashtë Shqipërisë. Gjithsesi dua t’i them vendit tim: Faleminderit Shqipëri, sepse hapat e mia të para në këtë fushë unë i nisa në atdhe.