Dita e djeshme në Kuvend u kthye në një skenë interpretimi poezish nga kryeministri Edi Rama, i cili me satirë ia kushtonte opozitës. Ai citoi Faik Konicën teksa ironizoi deputetët e opozitës, duke u cilësuar “gomarica që vijnë vërdallë”.
“Ju mua më dini si veten dhe nuk ju vë faj. Edhe pse e kam shumë të vështirë të gjej paqen, unë nuk ju vë faj, nuk keni si ta dini dhe as nuk kuptoni dot sesi njeriu mund të jetë krejt ndryshe nga ju, që jeni mëkuar me ujin e zi të punëve të brendshme, të ngatërruara, të shtrembra dhe të ndyra të Napoleonit të gjirizeve dhe jeni mësuar të vini vërdallë si gomaricat e Zullullandit të Faik beut, që i ndritë shpirti nga aty prej ku na sheh sot”.
“Këmbë e bufit prapë është thyer dhe kukuvajka ka lëngjyer, e sesi luftoni për darën ju, o trima, që kur shkulni gozhdën, iu mbetet vrima? A do qumësht, a do dhallë, gomaricat vijnë vërdallë, bandi, damdi, kandi, randi, rroftë e qoftë Sali Llandi”.
Por, ndërsa reagimet e opozitës qenë të shumta për gjuhën e përdorur nga kryeministri, një reagim ka bërë dhe ish-deputetja Grida Duma, e cila drejton tashmë emisionin “Top Story”.
Po me Faik Konicën, Duma i është drejtuar kreut të qeverisë duke thënë:
“Ju sulën atij, anadollakët e levantinët e I thanë; ‘Ej, po çfarë bëre ti për atdheun, fole, shkrove dhe e le’. Dihet që Konica iu përgjigj kështu: Palla ime është penda. Pallë e dobët, por me pendë përpiqem t’i shërbej mëmëdheut. Shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin, ti që leve, që linde trim, bëje fora, nxirre jataganin dhe bjeri për atdheun. Me jatagan, me pendë, me rrobëtima ose jo, të shikojmë sot sesa shumë u rropatëm për mëmëdheun në parlament për “Portin e Durrësit”.