Fotografia e Sherife Lutës me vajzën e saj në krahë e shkrepur në vitin 1999 u bë simbol i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, që lanë shtëpitë e tyre brenda ditës për t’i shpëtuar masakrave të paramilitarëve serbë.

18-vite më vonë, nëna dhe vajza e saj, fotoja e së cilave u shfaq në kopertinën e prestigjiozes “Time” në vitin 2001, ishin të ftuara në studion e “Pasdite në Top Channel” ku treguan edhe njëherë tmerrin e atij rrugëtimi të mundimshëm.

Sherife Luta rrëfeu se ajo së bashku me të bijën janë larguar nga fshati herët në mëngjes, më 8 mars 1999.

“Iu bashkuam banorëve të fshatit dhe dolëm në mal.”- tregoi Sherifja duke shtuar se kanë ecur për 24 orë në këmbë, pa ngrënë asgjë. Ajo rrëfeu se i gjidhë udhëtimi është bërë në temperatura shumë të ulëta dhe se madje në një moment ishte trembur për jetën e së bijës, Besjanës.

“Besa nuk qau për 10 minuta dhe të gjithë menduam që kishte vdekur. Kunata ime e mori dhe e futi në furrë.”-rrëfeu Sherifja, e cila shpjegoi se ky veprim i dëshpëruar në fakt i shpëtoi jetën së bijës.

“Vjaza u ngroh dhe kur filloi të qante, e gjithë dhoma shpërtheu në duartrokitje.”- tregoi më tej ajo. Nëna e Besjanës, e cila tashmë është maturante dhe ka edhe dy vëllezër më të vegjël, tregoi se e mbante mend fare mirë momentin e shkrepjes së fotografisë ikonike, por nuk kishte mundur të komunikonte me fotografin, i cili me daljen e kopertinës, u identifikua si boshnjaku Damir Sagojl, fotograf për “Reuters”.