Teuta ka siguruar biletën për në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, edhe pse është mundur 2-1 nga Kukësi në ndeshjen e kthimit të çerekfinaleve. Fitorja 2-0 në ndeshjen e parë ua bëri më të thjeshtë durrsakëve rrugëtimin dhe ata siguruan një avantazh të rëndësishëm për të menaxhuar kur gjetën golin e avantazhit me Ildi Grudën në pjesën e parë të ndeshjes. Në një intervistë sulmuesi tregon shumëçka nga goli ndaj Kukësit deri te pritja e gjatë për të qenë vendimtar me blutë.Gruda beson se Teuta ka mundësi ta fitoj trofeun e kupës pasi është rruga më e shkurtër për Europën.
Çfarë menduat kur morët topin dhe fituat duelin e shpejtësisë me Dragoshin?
Nuk kam menduar shumë në fakt. Thjesht bëra lëvizjen, pasi Kallaku e nisi atë top, e mora sferën dhe mendoja ta godisja në kuadrat. Ishte vërtetë gol i bukur, po e pranoj që fitova duelin ndaj Dragoshit, pasi gjeta momentin. Më vjen mirë që shënova një gol me peshë, pasi na solli kualifikimin e shumëpritur.
Shpeshherë trajneri Martini ju ka komplimentuar që jeni lojtari më i shpejtë i kampionatit, e mendoni kështu?
Unë jam shumë krenar kur shoh këto komplimente, por që duhet të jem me “këmbë në tokë”, pasi është meritë edhe e shokëve që luaj. Kjo më jep motivim dhe kurajë që edhe unë në të ardhmen të bëj akoma më mirë.
Ledio Beqja, pas ndeshjes tha që golin e kishim provuar në stërvitje. Na tregoni diçka më shumë.
Po, është e vërtetë që e kemi provuar në dy seancat e fundit para ndeshjes me Kukësin. Falë zotit u realizua me sukses, pasi dhe Kallaku pa lëvizjen time dhe skema doli në perfeksion. Ishte një fillim shumë i mirë. Edhe dje luajtëm mirë. Do të duhet ta kishim mbyllur që pjesën e parë, por kështu është futbolli.
Ju vjen keq që në tërë këto vite nuk keni pasur hapësirat e duhura, duke mos marrë minutat e plota dhe tani që po i merrni dhe po tregoni veten, më mirë vonë se kurrë?
Kurrë nuk është vonë. Unë erdha te Teuta, në gjysmën e sezonit, pra në janar, para tri vitesh, dhe ishte e vështirë të futesha në skuadër menjëherë, pasi grupi kishte krijuar identitetin e vet dhe po reagonte mirë. Personalisht kam qenë dhe jam super i lumtur. Kështu është me futbollin, mendoj që çdo gjë do kohën e vet dhe duhet pritur momenti. Unë jam stërvitur në maksimum dhe kjo gjë më ka bërë të jem ky që jam sot duke u bërë i rëndësishëm për ekipin.
Me sa gola mendoni se do ta mbyllni sezonin?
Shpresoj ta ndihmoj shumë ekipin si me asiste apo edhe me gola e të shkojmë sa më lart të jetë e mundur. Kjo pa dyshim që i shkon për shtat një ekipi si Teuta. I kemi kualitetet e duhura për ta bërë një gjë të tillë.
Sa shanse keni t’i shkoni Kupës deri në fund?
Mendoj se kemi shans për ta fituar Kupën, jemi shumë optimistë. E shohim rrugën më të shkurtër për Europën.
Të dielën udhëtoni në Rrogozhinë ndaj Egnatias. Si e shihini?
Kemi shumë besim se do t’ia dalim. Skuadra ka shpirt dhe karakter. Kemi 4 ditë kohë që do të stërvitemi dhe jemi gati për Egnatian. Mendoj se me punë, rezultati do të vijë. Mjafton që të mos e ulim tempin dhe të qëndrojmë njësoj të angazhuar ndaj çdo kundërshtari. Vetëm se duhet ta marrim shtuar.