Një ditë pas publikimit të një platforme me pesë kërkesa drejtuar qeverisë dhe dërgimit të saj në përfaqësitë diplomatike të vendeve perëndimore në Shqipëri, është bërë publike edhe lista e 13 personave që kanë firmosur dokumentin në emër të të ashtuquajturit “Grupi Koordinues” i protestave.

Në dokumentin e shpërndarë thuhet se kërkesat janë rezultat i diskutimeve dhe propozimeve të vetë pjesëmarrësve në protestë. Megjithatë, deri më tani nuk është bërë i ditur ndonjë proces formal përzgjedhjeje apo votimi për përfaqësuesit, çka ka ngritur pikëpyetje mbi legjitimitetin e këtij grupi si strukturë përfaqësuese e protestës.

Për këtë arsye, “Grupi Koordinues” konsiderohet deri tani një strukturë e vetëshpallur, ndërsa mbetet për t’u parë nëse ai do të njihet nga të gjitha grupimet që marrin pjesë në protestat e përditshme para Kryeministrisë.

Sipas listës së publikuar, firmëtarët vijnë nga fusha të ndryshme profesionale dhe angazhohen në kauza qytetare e sociale.

Mes tyre është arkitektja dhe urbanistja Entela Koja, e angazhuar në çështje të planifikimit urban dhe mbrojtjes së pronës, si dhe aktivisti Arben Kola, i njohur si guidë turistike dhe një nga figurat e spikatura të protestave mjedisore në vend.

Në listë figurojnë edhe Megan Balaj dhe Gjon Ndoni, për të cilët nuk ka të dhëna të shumta publike, por që janë bërë pjesë e grupit koordinues të protestave.

Një tjetër emër është Edviol Kulluri, i cili prezantohet si shkrimtar, sipërmarrës dhe aktivist, ndërsa është angazhuar në organizimin e nismave qytetare dhe debateve publike.

Aktivistja Luçjana Kokaj, e njohur për rezistencën kundër projekteve turistike në zonën e Rrjollit dhe Zvërnecit, gjithashtu figuron në listën e firmëtarëve.

Ndërkohë, inxhinieri i IT-së Gentjan Progni njihet për denoncime publike mbi çështje të sigurisë kibernetike dhe transparencës në sistemet elektronike shtetërore.

Lista vijon me mësuesen Etleva Merko, ish-nënkryetare e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, si dhe të riun Everest Bardhi, 19 vjeç nga Mirdita, i cili është bërë i njohur për dëshmi personale të ndara gjatë protestave.

Në grup përfshihen gjithashtu sipërmarrësi Përparim Gjeka, përfaqësuesi i diasporës Mevlan Mata, si dhe sindikalisti Ilir Xhemalaj, kryetar i Sindikatës Kombëtare të Operatorëve Telefonikë (SKOT).

Lista mbyllet me sipërmarrësin në sektorin e turizmit Marjen Rama, i angazhuar prej vitesh në sektorin privat.

Publikimi i kësaj liste shënon herën e parë që organizatorët identifikojnë publikisht një strukturë drejtuese të protestave. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si kjo do të ndikojë në vijimin e lëvizjes qytetare, pasi në protestat e përditshme marrin pjesë edhe individë dhe grupime të tjera që deri më tani nuk janë përfaqësuar në këtë strukturë dhe nuk kanë shprehur qëndrim mbi të.