Ditët e fundit të muajit prill ishin mjaft të trishta për anëtarët e Klubit Rotarian të Durrësit. Në harkun kohor të një jave humbën në mënyrë të papritur njëri pas tjetrit dy nga anëtarët më të respektuar, Çapajev Filen dhe Hajdar Kovaçin. Të dy i ishin bashkangjitur Rotary Club që në vitet e para të krijimit, fillimisht në Tiranë, e më pas në Durrës, pas krijimit të degës lokale. Koronavirusi ua ndërpreu në mënyrë të parakohshme rrugëtimin jetësor, duke lënë pas dhimbje e trishtim, por edhe krenari për kontributin e vyer që këta dy burra të mençur, intelektualë të spikatur, dhanë gjatë karrierës së tyre.
Në 20 vite të funksionimit të Rotary Club Durrës janë sa e sa projekte në ndihmë të shtresave në nevojë, në ndërtimin e ujësjellësit të ish-Kënetës, në donacione për Qendrën Rezidenciale të fëmijëve me nevoja të veçanta etj. Hajdar Kovaçi dhe Çapajev File ishin përherë aty, pjesë e këtyre projekteve, në krah të miqve rotarianë të klubit të Durrësit.
Muzike – Kolazh foto me dicitura nga projektet
Momente të veçanta në memorien e rotarianëve durrsakë janë edhe udhëtimet, mëngjeset apo drekat e punës, aktivitetet e përbashkëta me klubet rotariane jo vetëm brenda vendit, por edhe në Kosovë. Shumë kujtime, shumë çaste të paharrueshme…
Muzike – Kolazh foto me dicitura nga udhëtimet
Hajdar Kovaçi ishte kryetar i Klubit Rotarian në vitet 2004-2005, ndërsa Çapajev File ishte Anëtar Nderi. Për kontributin e dhënë gjatë më shumë se 20 viteve, Kovaçi ishte nderuar edhe me çmimin “Paul Harris”, themeluesi i Rotary International.
Por kush ishin Hajdar Kovaçi dhe Çapajev File?
Hajdar Kovaçi lindi në vitin 1946, në qytetin e Durrësit. Në vitin 1970 do të ishte pjesë e grupit prej 17 studentësh, që nisën për herë të parë degën e arkitekturës, në universitetin e Tiranës. Në vitin 1972 diplomohet arkitekt dhe karrierën e gjatë në këtë fushë e nis në qytetin e Bajram Currit, ku punoi për rreth 4 vite. Më pas transferohet në qytetin e lindjes, në Durrës, ku janë të shumta godinat që mbajnë firmën e arkitektit Kovaçi përgjatë viteve të karrierës së tij. Por, nëse do ta kufizonim Hajdar Kovaçin vetëm në suazën e arkitekturës, do të bënim një gabim të madh. Ky intelektual i nderuar, me interesa të shumëllojshme, spikati më shumë përgjatë viteve të demokracisë, pasi gjatë regjimit komunist përndjekja nga biografia, do ta kufizonte disi karrierën e tij, pavarësisht se u nderua nga Kuvendi Popullor me “Medaljen e punës”.
Në vitet ‘90 do të krijonte bashkë me disa shokë një studio projektimi, por që në më të shumtën e rasteve ajo kthehej në një zyrë, ku Kovaçi nuk ndalej së dhëni këshilla të vlefshme, siç rrëfen shoqja e pandarë e jetës, bashkëshortja dhe arkitektja Magdalena Furrxhi.
Sinkron
Në vitet 1992-1997, Kovaçi mban detyrën zv/president i shoqatës së arkitektëve të Shqipërisë dhe ka përfaqësuar vendin për 4 vite me rradhë në konferencat ndërkombëtare në pellgun e Mesdheut, ndërsa për dy mandate rradhazi ka qenë president i Dhomës së Tregtisë Durrës. Dashuria e tij e madhe mbetej Durrësi, ndërsa besonte fort se rinia do ta bënte këtë vend. Kovaçi shihte turizmin si potencial zhvillimi të qytetit.
“Një alternativë që kam në programin tim është rinia, për t’i ringjallur asaj shpresën e humbur me moton: “Ne do ta bëjmë Shqipërinë”. Do të merrem gjithashtu me problemet e mprehta ekologjike që ka përballë qyteti ynë bregdetar, i cili po rrezikon vlerat e mëdha që ka në fushën e turizmit”,– thoshte Kovaçi në vitin 2001, ndërsa prezantonte programin elektoral në zgjedhjet parlamentare të atij viti. Gjatë angazhimit të tij politik pranë PD-së, Kovaçi është zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak Durrës dhe anëtar i Këshillit të Rregullimit të Territorit në bashki.
Por krahas karrierës, familja ishte një tjetër aset i rëndësishëm për Kovaçin. Bashkëshortja e tij, Magdalena kujton – sinkron
Telefoni që mban në dorë është dhurata e fundit, që Dari i bëri. Janë me qindra mesazhe nga të njohur, miq, kolegë etj, që i kujtojnë në çdo moment Magdës respektin që njerëzit kishin për Darin e saj.
Sinkron
Përshëndetja e fundit për të, para bashkisë së qytetit, megjithëse ishim në periudhë pandemie, tregoi se Hajdar Kovaçi kishte lënë gjurmë tek qindra e mijëra njerëz.
Sinkron plane nga duartrokitjet para bashkisë.
Ndryshe nga Hajdar Kovaçi, Çapajev File nuk lindi në Durrës, por me natyrën e tij gazmore, me karakterin e tij mjaft social, me intelektin dhe ndershmërinë e tij, kapiteni i rangut të I-rë krijoi një rreth shumë të gjerë miqësie në qytetin bregdetar.
I lindur në Ersekë në vitin 1949, Çapajev File ndoshta se kishte menduar asnjëherë se lidhja me detin do të shenjonte karrierën e tij. Kur iu caktua të ndiqte arsimin e lartë ushtarak në Akademinë e Detarisë në Vlorë, File nguroi, por në atë kohë pushteti popullor nuk pyeste për dëshirat e të rinjve për arsimimin e tyre. Çapajevi u angazhua që të jepte maksimumin dhe ia doli.
Forcat e Armatosura nuk do të shenjonin vetëm karrierën e tij, por edhe karakterin, kujton bashkëshortja e tij, Liljana. sinkron
Në të gjitha detyrat e larta që ka mbajtur gjatë karrierës së gjatë, si pedagog, si punonjës shkencor apo si Shef i Shtabit i FD-së dhe Kapiten i Përgjithshëm i Porteve, File do të dallohej për profesionalizmin dhe përkushtimin në detyrë, për ndershmërinë dhe thjeshtësinë që e karakterizonte, si dhe për frymën kolegjiale në vendimmarrje.
Autor dhe bashkëautor i disa librave dhe artikujve në fushën e detarisë, drejtues shkencor në doktoraturat e studentëve të tij, Doktori i Shkencave Çapajev File është dekoruar me urdhëra dhe medalje të ndryshme nga Kuvendi Popullor dhe Ministria e Mbrojtjes. Gjatë karrierës së gjatë, ai ka marrë pjesë në kurse të ndryshme për operacionet paqeruajtëse në SHBA dhe Angli, ndërsa me rastin e 70-vjetorit të lindjes, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e nderoi me Medaljen e Mirënjohjes me motivacionin “Dalluar për kontributin e dhënë si ushtarak me një karrierë të spikatur në shërbim të Forcës Detare”.
Si bashkëshort i Liljanës dhe baba i Belindës dhe Dritanit, Çapajev File ishte një partner dhe prind i përkushtuar. Sytë e Liljanës përloten kur kujton rreth 40 vite jetë, të kaluara përkrah Çapajevit. Sinkron
Ndarja e parakohshme nga jeta i la përgjysëm disa projekte të nisura, mes të cilëve librin “Enciklopedia e luftës në det”, ku ishte bashkëautor me kapitenin e rangut të I-rë, Artur Meçollari. Sinkron
Jeta u tregua e padrejtë me Hajdar Kovaçin dhe Çapajev Filen, i mori në një moment kur ata ishin ende shumë aktivë dhe plot vullnet për punë të mira. Durrësi dhe Klubi Rotarian pësuan një goditje të rëndë, por kujtimet dhe kontributi që këta burra të mençur dhe atdhetarë lanë pas do të mbeten përherë një udhëzues i pashkruar që duhet t’i drejtojë më të rinjtë dhe t’i udhëheqë në projektet e ardhshme në shërbim të komunitetit dhe qytetit.





