Gugash Magani beson se Teuta vazhdon të ketë shanse të barabarta me Skënderbeun për kualifikimin në finalen e Kupës së Shqipërisë edhe pse është mundur në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Ai deklaroi se barazimi 0-0 do të kishte qenë rezultati më i merituar në këtë ndeshje:

“Kupa ka të veçantat e veta dhe ne ishim përgatitur që të mos pësonim, por kishim vërë një vendosje të kujdesshme. Mendoj se pavarësisht se pësuam, u vendosëm mirë në fushë, kërkuam të ishim pragmatistë, të gjenim kundërshtarët në moment çbalancimi. Mendoj se për meritë të kundërshtarit apo edhe fatin e keq erdhi goli. Duhej të shënonim të parët. Mendoj se topin e ka mbajtur më shumë kundërshtari, por rastet më të pastra i kishim ne. Përveçse në pjesën e dytë kur na vunë në rrezik me 2-3 goditje standarde. Pastaj goli ishte ekzekutim perfekt i kundërshtarit, por kështu e ka futbolli. Në 90 minutëshin tjetër do të futemi në fushë gjithçka për gjithçka dhe jam optimist për kualifikimin. Po t’i referohemi dy-tre viteve përpara kur ishim për Kampion më Tiranën, Skënderbeu ka zhvilluar në ‘Qemal Stafa” thuajse gjithë lojën në gjysmëfushën e vet, dhe lojë efektive shumë pak. Por ne kemi punën tonë, nuk kemi pse të shohim çfarë bën kundërshtari, do të luajmë për t’u kualifikuar. Është e vështirë por gjithsesi është e hapur.

Do të thosha që rezultati 0-0 do të bënte që shanset të ishin 50 me 50. Megjithatë, sipas meje jemi sërish me kaq shanse pasi janë edhe 90 minuta për t’u luajtur dhe mund të ndodhë gjithçka. Ne do të futemi në fushë për të fituar, por edhe mund të humbasim. E radhës i ka të tre rezultatet brenda. Kundërshtari mund të vijë për t’u mbrojtur, por edhe mund të na sulmojë, por ne do të bëjmë lojën tonë pavarësisht gjithçkaje. Në momentin kur Vangjeli goditi, hapësira nuk ishte e kontrolluar nga lojtarët tanë. Janë gjëra që ndodhin në fragmente të lojës dhe nuk mund të fajësoj askënd për këtë. Jam i kënaqur me skuadrën për grintën që shfaqi. Bëmë një ndërrim të detyrueshëm, Ditën, por kishim edhe një mungesë të rëndësishme si Hila dhe e tillë është organika jonë.Megjithatë, për asnjë moment nuk u dorëzuam. Do ta harrojmë  sa më shpejt këtë ndeshje dhe do të rikthehemi sa më shpejt në kampionat, pasi jemi të rrezikuar edhe në kampionat. Kur të vijë ndeshja e kthimit, ne do të përgatitemi seriozisht për ta fituar dhe për t’u kualifikuar”.

Llogaritë mes kampionatit dhe Kupës

“Jo vetëm ne, por të gjithë bëjnë llogari. Ne, derisa arritëm deri në katërshe të Kupës duhet të guxonim dhe do të guxojmë deri në fund që të marrim diçka më shumë. Kjo, pasi një ndeshje dhe finalja të çojnë në Europë. Gjithsesi, edhe kampionati është i hapur. Pavarësisht se për momentin rrezikohemi, do të luftojmë deri në fund që të shkojmë sa më lart. Objektivi kryesor është që të shpëtojmë nga rënia dhe në kupë do të futemi si të barabartë me Skënderbeun”.Mungesa e zëvendësimit të zakonshëm Magani-Ribaj-“Aktivizova Bangalin, i cili është një lojtar që ka më shumë cilësi sulmuese. Nisur nga kjo, por edhe nga fakti që të ruanim ekuilibrat, për faktin se kundërshtari ishte i fokusuar në gjysmëfushën tonë. Bangal u aktivizua sepse është një lojtar që e mban topin, si dhe për faktin që menduam të sulmonim nga krahët me Prognin, Mustën dhe me Çyrbjan. Kjo gjë nuk na u realizua, por i tillë është futbolli. Ka edhe raste kur një ndërrim nuk del për mirë dhe nuk jep rezultatet që presim”.