Ne kemi qenë goxha konsistentë në promovimin e figurave të shquara çame në komunitetin e Durrësit. Po kështu kemi qenë pranë çdo problematike që ka të bëjë me komunitetin çam duke pasur një impenjim maksimal për zgjidhjen e këtyre problemeve

Kryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit, si edhe një nga përfaqësuesit kryesorë të komunitetit çam në qytetin bregdetar, Indrit Hamiti, ka komentuar atmosferën që solli java çame në Durrës dhe më gjerë, si dhe domosdoshmërinë historike për miratimin e rezolutës për çështjen çame nga Parlamenti shqiptar. Sipas Hamitit,- “tashmë atmosfera ka ndryshuar dhe brenda kësaj legjislature ne do të kemi miratuar këtë rezolutë në Parlamentin shqiptar. Mund të them se miratimi i rezolutës për çështjen çame është një domosdoshmëri historike dhe një detyrë patriotike dhe institucionale e Kuvendit të Shqipërisë”. Nga ana tjetër, duke u përqendruar në problematikat lokale, Hamiti ka deklaruar se në ditët në vazhdim mund të thirret për interpelancë kryebashkiaku Dako dhe drejtori i Policisë Bashkiake për të dhënë sqarime mbi zënien e hapësirave publike nga privatët. Hamiti nuk përjashton edhe ngritjen e një komisioni hetimor për mënyrën e vjeljes së taksave nga ana e bashkisë së Durrësit.

Si e vlerësoni atmosferën që krijoi java çame në Durrës?

Për javën çame u bë një koordinim nga ana e Partisë për Integrim dhe Unitet në Tiranë, për të zhvilluar aktivitetet në të gjitha rrethet e vendit, kryesisht në rrethet bregdetare ku ka dhe një gjeografi më të pasur të komunitetit çam. Në këtë kuadër dhe në Durrës ka pasur një sërë aktivitetesh të rëndësishme. I gjithë qyteti u vesh me simbolet e Çamërisë, të cilat janë në thelb dhe simbolet e patriotizmit të kulluar. Po kështu anëtarët e Klubit të Patriotëve të rinj dhe Forumi Rinor, shpërndanë në qytet fletëpalosje. Në të njëjtën kohë kemi bërë promovime librash, ndërsa në kryeqytet ka pasur një aktivitet të ngjeshur në kuadër të javës çame. Java çame është kthyer tashmë në një traditë, ku fillimet e saj nisin që në vitin 2005. Spunto në fakt është marrë nga peligrinazhi që ne bëjmë çdo vit në Qafë Botë dhe në varrezat e Kllogjerit, në një kohë që këtij peligrinazhi i janë shtuar dhe aktivitete të tjera që kanë të bëjnë me traditat dhe njohjen e kulturës dhe historisë të Çamërisë. Gjithshka është shoqëruar me detajet e njohjes së traditave, kostumeve, zakoneve dhe promovimit të figurave të trevave të Çamërisë. Në këtë kuadër, sensibiliteti ka qenë maksimal. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është që kombi shqiptar të njihet me trevën dhe vlerat e Çamërisë.

Sa është bërë realisht për këtë komunitet në Durrës duke qene se ju keni dhe detyrën e kryetarit të Këshillit Bashkiak?

Komuniteti çam është pjesë integrale e komunitetit të Durrësit. Duke qenë në pozicionin e kryetarit të Këshillit Bashkiak kuptohet që kam më shumë sensibilitet ndaj këtij komuniteti, pjesë e të cilit jam dhe unë. Kemi nderuar shumë figura të Çamërisë. Kështu i kemi dhënë titullin qytetar nderi z.Mylezim Osmani, që është botues i teksteve mësimore në lëndën e matematikës. Ideja ishte e shoqatës “Çamëria” dhe më pas pati mbështetjen time dhe të forcave të tjera politike. Në vazhdimësi ne kemi qenë goxha konsistentë në promovimin e figurave të shquara në komunitetin e Durrësit. Po kështu kemi qenë pranë çdo problematike që ka të bëjë me komunitetin çam duke pasur një impenjim maksimal për zgjidhjen e këtyre problemeve.

A jeni optimist për miratimin e rezolutës për Çamërinë në Parlamentin shqiptar?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet të kthehemi në vitin 2004. Në këtë vit shoqata “Çamëria” futi për miratim në Parlament rezolutën për Çamërinë dhe mori një lloj konsensusi nga forcat politike. Në atë kohë nuk u miratua rezoluta, pasi u gjet një modus teknik për të mos e bërë këtë. Kjo shërbeu dhe si një spunto për krijimin e një force politike, që ka në themel të saj zgjidhjen e çështjes çame. Fillimisht në atë kohë quhej Partia për Drejtësi dhe Integrim, ndërsa tashmë quhet Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Në këtë kuadër, Rezoluta çame është në fokus në rradhë të parë të komunitetit çam dhe të Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe më gjerë. Nëse në vitin 2004 miratimi i rezolutës në Parlamentin shqiptar nuk kish sensibilitetin e duhur, tashmë ështët një situatë krejt tjetër. Një pjesë e deputetëve atëherë nuk e njihnin mirë çështjen çame, ndërsa një pjesë nuk kishin bonsensin apo u ndikuan të shpreheshin kundër. Mendoj se tashmë kjo çështje ka marrë sensibilitetin e duhur në Palament, gjë që u dëshmua dhe nga prezantimi që i bëri z. Idrizi kësaj çështje. Tashmë atmosfera ka ndryshuar dhe unë mendoj se brenda kësaj legjislature ne do të kemi miratuar këtë rezolutë në Parlamentin shqiptar. Mund të them se miratimi i rezolutës për çështjen çame është një domosdoshmëri historike dhe një detyrë patriotike dhe institucionale e Kuvendit të Shqipërisë. Është një rezolutë që e nderon këtë Parlament.

Zoti Hamiti të kthehemi pak tek problematikat e qytetit të Durrësit. Zënia e hapësirave të plazheve publike shqetëson mjaft qytetarët. Si drejtues i Këshillit Bashkiak cila mendoni se mund të jetë rrugëzgjidhja e këtij problemi?

Për këtë çështje të ngritur mjaft herë nga qytetarët e që nuk po gjen dot zgjidhje mund të thirren në interpelancë kryetari i bashkisë së Durrësit dhe drejtori i Policisë Bashkiake si personat që kanë tagrin të japin shpjegime për këtë anomali të konstatuar në hapësirat publike të rezervuara për pushuesit.

Megjithëse çdo pëllëmbë hapësirë e plazhit të Durrësit është e zënë nga privatët vjelja e taksave nga ana e bashkisë, të paktën për vitin e kaluar ka dështuar. Si mund të realizohet vjelja e detyrimeve?

Në këtë rast ne mund të ngremë një komision hetimor që do të ketë funksionin e një task-force, që kontrollon situatën në terren. Me anë të mekanizmave ligjorë do t’i kërkohet bashkisë të japë sqarime lidhur me këtë çështje. Në të njëjtën kohë ne mund të bashkëpunojmë me organin tatimor, i cili mund të operojë në terren, të evidentojë bizneset që i shmangen shlyerjes së detyrimeve financiare dhe të zbatojë kompetencat që i  garanton ligji në këtë rast.   

Le të kthehemi pak te problemet e kulturës. Pse kaq vonë u gjet konsensusi për këshillin e kulturës?

Mendoj se është një hap i rëndësishëm miratimi i Këshillit të Kulturës. Kujtoj se kishte një ngërç të vogël pasi Këshilli Bashkiak kishte kërkuar nga administrata e bashkisë një raport të detajuar në lidhje me aktivitetin e Këshillit të vjetër Kulturor, pasi ka pasur aludime për konflikt interesi. Në këtë kuadër erdhi dhe raporti nga administrata e bashkisë, ku Këshilli Bashkiak fillimisht nuk ishte dakort me detajimin e raportit. Ky lloj ngërçi u kalua dhe sot kemi Këshillin e Kulturës funksional.

Ç’po bëhet me problemet e të pastrehëve në Durrës. Pse nuk po ndahen rreth 120 banesa sociale?

Ka dy programe. Njeri për subvencionimin e shtresave në nevojë me kredi të buta dhe programi tjetër mbi dhënien e banesave me qera. Ne kemi aprovuar para më shumë se një muaji 400 kredi të buta dhe normalisht që institucionet përkatëse po merren me detajimin e proçedurave, në një kohë që për banesat me qera ka pasur shumë aplikime. Bëhet fjalë për ndarjen e mbi 125 apartamenteve, por ka mbi 1800 aplikime për dhënie me qera. Kjo vjen dhe nga mos njohja e mirë e proçesit nga ana e aplikantëve, pasi ne nuk bëjmë fjalë për të falur apo dhuruar apartamente, por për dhënien me qera të tyre. Në këtë kuadër, ka më shumë interes për kreditë e buta dhe jo për dhënien e banesave me qera. Mendoj se brenda shtatorit do të bëhet mbledhja që do të përcaktojë se kush do të përfitojë nga këto banesa.