Policia bashkiake e Durrësit ka vijuar edhe gjatë ditës së sotme aksionin për lirimin e hapësirave publike në lagje të ndryshme të qytetit bregdetar.

Këtë të martë, aksioni është përqendruar në lagjet nr. 4, 9 dhe 11, ku janë hequr kunja hekuri, zinxhirë apo kupola betoni të vendosura nga qytetarë të ndryshëm, të cilët shpeshherë hapësirat publike i konsiderojnë si prona private.

Burime nga policia bashkiake e Durrësit bëjnë të ditur se ndërhyrjet janë realizuar pas ankesave të shumta të banorëve që kanë raportuar këto zënie të paligjshme të territoreve mes lagjeve apo kuartalleve.

Pas lirimit të hapësirave publike në rrugët kryesore, që prej vitesh ishin zënë nga tregtarë ambulantë, pronarë lokalesh etj, aksionet e fundit të policisë bashkiake janë përqendruar pikërisht në hapësirat mes pallateve apo në rrugët dytësore të Durrësit.