Ramush Haradinaj është nisur mesditës së sotme drejt Hagës për t’iu përgjigjur ftesës së Gjykatës Speciale për intervistim si i dyshuar. Lajmi është dhënë nga vetë ai përmes një postimi në Facebook. 

Haradinaj shkruan se të drejtën gjithmonë e ka mbrojtur me nder dhe do vazhdojë ta bëjë, ndërsa thekson se Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues.

POSTIMI I PLOTË

Luftëtarët e lirisë gjithmonë ishin të rreshtuar me të drejtën!

Sot, si Ramush Haradinaj, qytetar i Republikës së Kosovës, i përgjigjem ftesës për intervistim nga Dhomat e Posaçme në Hagë. Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në.

Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje.

Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë!

RH