Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, thotë se ai “ka besim të plotë që KE nën drejtimin e Ursula von der Leyen, do ta kthejë Kosovën në dinamikat e plota integruese evropiane.”

Zgjedhja në krye të Komisionit të Bashkimit Evropian e gjermanes Ursula von der Leyen, në Kosovë është pritur jashtëzakonisht mirë. Sipas DW, kjo vjen për faktin që ish-ministrja gjermane e Mbrojtjes e njeh shumë mirë Kosovën dhe realitetin në vend dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë pa kushte deri në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Besoj se KE do të intensifikojë përpjekjet si pjesë të politikës së zgjerimit”, theksoi Haradinaj.

Ai është i bindur se zonja Ursula von der Leyen “do t’i qëndrojë besnike qëndrimit, për një Evropë unike dhe të fuqishme”.

Kryeministri pohon se “Kosova megjithë specifikat dhe sfidat e saj, është e përkushtuar që të jetë kontribuese modeste dhe vlerë e shtuar përgjatë gjithë rrugëtimit të saj drejt Bashkimit Evropian”.