Të lindurit e shenjës së Peshqve janë të sjellshëm, të ndjeshëm, ëndërrimtarë, altruistë, bujarë, intuitivë dhe me plot fantazi. Janë shumë të fokusuar në botën e tyre të brendshme. Fakti që këtë shenjë e simbolizojnë dy peshq në drejtime të kundërta, tregon se ata mund të kenë hera-herës dy personalitete njëlloj si Binjakët.

Kombinimi i planetëve Jupiter dhe Neptun i bën Peshqit me energji unike dhe në të njëjtën kohë të devotshëm, të duruar, të ndershëm, krijues, modestë, të thjeshtë, autokritikë dhe besnikë. Në familje nuk është e lehtë t’i kuptosh pasi ndonjëherë mbyllen në vetvete dhe nuk i duan vendet me zhurmë. Nëse trajtohen me butësi dhe ëmbëlsi përgjigjen me dashuri të sinqertë. Peshqit arrijnë të sigurojnë një pozicion të mirë ekonomik në sajë të këmbënguljes dhe forcës së vullnetit.

Në lidhjet personale nuk janë kurrë egoistë dhe janë shumë bujarë me ato që duan dhe respektojnë. Meqë janë shenjë uji ata janë të paparashikueshëm. Personat që i përkasin kësaj shenje pëlqejnë vetminë për të ëndërruar, sekretet, misterin. Urrejnë mburrjen, mosmirënjohjen dhe formalitetin. Femra e lindur në këtë shenjë është veçanërisht intuitive dhe e ndjeshme. Ajo do të arrijë suksese në të gjitha ato veprimtari që kërkojnë këto karakteristika.

Mashkulli i lindur në shenjën e Peshqve tërhiqet gjithmonë nga të papriturat dhe mund të ushtrojë me sukses ato profesione që kanë të bëjnë me kolektivitetin, si tregtia apo punët që lidhen me financat. Nëse keni një shoqe që i përket shenjës së Peshqve, jeni me shumë fat. Ato të kuptojnë më mirë se kushdo tjetër. Nëse me miqtë e tjerë e keni më të vështirë të shpreheni, me Peshqit nuk ekziston ky rrezik. Janë shumë mirëkuptues, mendjehapur dhe të logjikshëm, atëherë kur duhet.