Pas eksppzitës së hapur në muajin qershor në Itali, artistja e re Elva Kreko solli në Durrës, në galerinë e Arteve “Nikolet Vasia”  ekspozitën e saj të parë personale  “Impressioni e Solitudini”.

Një udhëtim artistik mes ngjyrave, emocioneve dhe reflektimeve, ku çdo vepër rrëfen një histori. Kështu ka menduar t’i sjellë punimet e saj piktorja e re, e cila prej vitesh jeton në vendin fqinjë, ku dhe ka nisur të marrë leksione arti për të perfeksionuar pasionin e saj për pikturën.

Mësimet e marra për periudhat e impresionizmit dhe ekspresionizmit pasqyrohen më së miri në 20 tablotë që janë pjesë e kësaj ekspozite personale, pasi artistja Kreko ka riprodhuar në telajo disa nga veprat më të mira të artistëve më të njohur botërore të këtyre dy rrymave.

Për të, dashuria për artin dhe veçanërisht për pikturën është mjaft e madhe dhe së shpejti ajo synon të hapë një tjetër ekspozitë, por këtë herë me pikturat e saj origjinale, ku artistja e re synon të shprehë muzën e saj artistike.

M.B.