TIRANE – Pas heqjes së vizave me vendet e Bashkimit Europian, shqiptarët kanë bërë realitet ëndrrën e tyre për të lëvizur lirisht në Europë. Tashmë kur janë mbushur 2 vjet nga heqja e vizave qytetarët shqiptarë kanë lëvizur 40% më shumë drejt vendeve të zonës Shengen.

Heqja e murit të vizave që ka penguar shumë qytetarë të udhëtojnë drejt vendeve europiane për të takuar të afërmit e tyre u realizua në mesin e dhjetorit të vitit 2010. “1.9 milion shqiptarë kanë udhëtuar drejt vendeve të zonës Shengen në këtë periudhë 2 vjeçare”,- bëri të ditur sot ministri i brendshëm, Flamur Noka.

“Nga dita e fillimit të lëvizjes pa viza, deri më sot rezulton se afërsisht 1.9 milionë shtetas shqiptarë kanë përdorur pasaporta biometrike për të qarkulluar jashtë vendit. Kurse dinamika e lëvizjes nga Republika e Shqipërisë është mbi 11.5 milionë shtetas shqiptarë që kanë dalë dhe kanë hyrë në Shqipëri, nga dita e liberalizimit të vizave deri në fund të muajit nëntor”,- tha Flamur Noka.

Në vitin 2011, pas liberalizimit të vizave, u kthyen në vendin tonë për qëndrim të paligjshëm në vendet e BE-së 14.189 shtetas, ndërsa gjatë 11 muajve të parë të këtij viti janë kthyer 9.173 shtetas, duke shënuar kështu një ulje të ndjeshme të kthimeve të detyruara.

Ndërkohë, megjithëse shqiptarët mund të lëviznin lirisht drejt vendeve europiane, disa shtete kanë pasur ankesa ndaj shqiptarëve, sepse në këto vende ka pasur një kërkesë të lartë nga bashkëatdhetarët tanë për të përfituar azil. Vendet europiane ku është regjistruar numri më i madh i kërkesave për azil të paraqitura nga shqiptarët janë Belgjika, Suedia dhe Luksemburgu.