Hezbollahu ka bërë të ditur se nuk do të zhvillojë bisedime të drejtpërdrejta me Izraelin dhe do të vazhdojë veprimet që i cilëson si “rezistencë mbrojtëse” ndaj sulmeve.
Në një deklaratë me shkrim, drejtuesi i grupit, Naim Qassem, tha se Izraeli nuk ka arritur të mposhtë Hezbollahun dhe se përballja në terren ka sjellë një situatë pa zgjidhje të qartë.
Ai shtoi se forcat izraelite po përballen me rezistencë të fortë dhe konflikti ka hyrë në një fazë të vështirë.
Armëpushimi mes palëve u shpall në mes të prillit pas ndërmjetësimit të SHBA-së dhe bisedimeve me përfaqësues të Izraelit dhe Libanit. Marrëveshja është ende në fuqi, por shkëmbimet e zjarrit nuk janë ndalur plotësisht.
Qassem ka paraqitur disa kushte për çdo marrëveshje të mundshme, duke përfshirë ndalimin e sulmeve në tokë, det dhe ajër, tërheqjen e forcave izraelite nga territoret e pushtuara, lirimin e të burgosurve dhe nisjen e rindërtimit në zonat e dëmtuara.
Ai ka bërë të qartë se Hezbollahu nuk do të dorëzojë armët, duke i konsideruar ato të nevojshme për mbrojtje, dhe ka paralajmëruar se reagimet ndaj sulmeve do të vazhdojnë.
Nga ana tjetër, grupi nuk ka marrë pjesë direkt në bisedimet e armëpushimit, por ka lënë të kuptohet se do ta respektojë marrëveshjen nëse ndalet dhuna nga pala tjetër.
Qeveria e Libanit nuk ka kontroll të plotë mbi Hezbollahun, ndërsa në procesin e negociatave po përfshihet edhe kryetari i parlamentit, Nabih Berri.





