· Hartat e para të vijës bregdetare (shkalla 1:100 000): grykëderdhja e Bunës-Kepi i Lagjit dhe Spille-Radhimë, po punohet për përgatitjen e hartës gjiri i Vlorës-Kepi i Stillos
· Në perspektivë prodhimi i hartave digjitale për të gjitha mjetet detare në bashkëpunim me Shërbimin Hidrografik Norvegjez që, brenda vitit 2018, të gjitha anijet mbi 1 500 tonë të jenë të pajisura me harta elektronike
· Në afate optimale janë riparuar e zëvendësuar fenerët hyrës në portin e Vlorës dhe të Durrësit
NGA SHEFQET KËRCELLI
19 gusht 2015 – Shërbimi Hidrografik shqiptar luan rol parësor në sigurimin e kushteve hidrolundrimore dhe sinjalistikës detare për lundrim të parrezikshëm të mjeteve detare në hapësirën ujore të Republikës së Shqipërisë. Ai është një nga pasuritë dhe repartet me përparësi të Forcës Detare, jo vetëm për misionin dhe detyrat që ka. Misioni i Shërbimit Hidrografik i kalon caqet e detyrave thjesht ushtarake në det, pasi ka dhe një rol të rëndësishëm në transportin detar civil të vendit. Kuadrot dhe specialistët e këtij shërbimi i gjen kurdoherë në krye të detyrës. Dhe në këto ditë të nxehta vere ata kanë realizuar disa detyra të rëndësishme për sigurimin hidrolundrimor të gjitha mjeteve detare në sezonin turistik. Komandanti i Shërbimit Hidrografik Shqiptar, kapiten i rangut II Lulzim Kryeziu informon se puna e kuadrove dhe specialistëve të tij gjatë kësaj periudhe është përqendruar në dy drejtime. Së pari, mbështetja e anijeve të Forcës Detare me botime dhe harta të nevojshme. Së dyti, sigurimi i lundrimit të parrezikshëm të gjithë mjeteve detare në ujërat territoriale të Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet monitorimit permanent të sinjalistikës detare dhe sistemit të farofenerëve.
HARTAT
Kështu në bashkëpunim me Institutin Gjeografik Ushtarak (IGJU), duke shfrytëzuar matjet e bëra nga kolegët e këtij shërbimi të SHBA-së, Italisë dhe Anglisë u bë e mundur botimi i hartave të para: harta me nr. 101, që përfshin rajonin grykëderdhja e Bunës-Kepi i Lagjit dhe harta me nr. 102, që përfshin rajonin Spille-Radhimë. Ndërkohë po punohet për përgatitjen e hartës nr. 103 (gjiri i Vlorës-Kepi i Stillos), e cila plotëson kështu gjithë vijën bregdetare të vendit. Këto harta të shkallës 1 me 100 000, plotësojnë standardet e kërkuara të IHO-s (International Hydrographic Organization – Organizata Ndërkombëtare Hidrografike) dhe ndihmojnë detarët shqiptarë për lundrim të përgjithshëm dhe lundrim bregdetar. Ky produkt i ri u përdor me sukses nga detarët e vendeve pjesëmarrëse në stërvitjen “AdriJon-2015”, thotë kapiten Kryeziu. Perspektiva e kësaj pune shkencore është prodhimi i hartave digjitale për të gjitha mjetet detare në bashkëpunim me Shërbimin Hidrografik Norvegjez që përfshihet dhe në projektin ALNO-HIP (Abanian–Norvegian Hydrographic Information Project). Është një detyrim i Shqipërisë për shkak të anëtarësimit në IMO (International Maritime Organization- Organizata Detare Ndërkombëtare) që, brenda vitit 2018, të gjitha anijet mbi 1 500 tonë të jenë të pajisura me harta elektronike, afat, i cili do të përmbushet para kohe.
LUNDRIMI I PARREZIKSHËM
Në fokusin e detyrave të specialistëve të këtij shërbimi gjatë sezonit turistik ka qenë siguria hidrolundrimore dhe monitorimi i rajonit gjiri i Vlorës-ishulli i Sazanit në kuadër të marrëveshjes për lejimin e turistëve në ishullin e Sazanit. Gjithashtu hidrografët u janë përgjigjur në kohë dëmtimeve të sinjalistikës detare si bova e fenerë, shkaktuar nga tekat e motit dhe kushtet atmosferike. Në afate optimale janë riparuar e zëvendësuar fenerët hyrës në portin e Vlorës dhe të Durrësit. Për këtë është bashkëpunuar me Autoritetet Portuale përkatëse, por mjaft detyra po zgjidhen në bashkëpunim dhe me Ministritë e Punëve të Brendshme; Transportit dhe Infrastrukturës; Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave. Realizimit në kohë të detyrave i ka shërbyer kualifikimi dhe trajnimi i vazhdueshëm i kuadrove dhe specialistëve të këtij shërbimi ku kanë ndihmuar dhe partnerët si SHBA, Norvegji, Angli, Itali, etj. Synimi final i këtij efektivi është arritja e standardeve dhe kapaciteteve të kërkuara nga IHO-ja dhe plotësimi i kushteve për anëtarësim me të drejta të plota në këtë organizatë. Në takimin e fundit të Komisionit Rajonal Hidrografik të Detit Mesdhe dhe Detit të Zi drejtuesit e IHO-s këshilluan që Shqipëria duhet të jetë pjesëmarrëse aktive në veprimtaritë e IHO-s, si ato rajonale dhe botërore. Sigurisht që për misionin dhe dobinë ekonomike që i sjell vendit, ky shërbim kërkon më tepër vëmendje dhe ndihmë nga shteti shqiptar në të ardhmen.
/red. th. m. portali “durreslajm.com”/





