Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës 1920 njoftoi se do të nisej për Durrës, kryeqyteti i vendit. Më 5 shkurt 1920, ministri i brendshëm 24-vjeçar Ahmet bej Zogu njoftoi se qeveria po priste në Kavajë, në gatishmëri për të hyrë në Durrës, i cili, në atë kohë kontrollohej ende nga ushtria italiane. Po atë ditë, Gjen. Raimondo deklaroi se, me urdhër të Gjen. Piacentini, ata nuk mund të hynin në Durrës. Ai dërgoi forca në afërsi të Shkëmbit të Kavajës për të ndaluar çdo mundësi avancimi drejt kryeqytetit.
Ahmet bej Zogu nuk tentoi të përplasej me ta. Një ditë më pas, ai kaloi nëpër rrugët dytësore nga Kavaja në Shijak dhe deklaroi se do të vendoste qeverinë përkohësisht në Tiranë, derisa Durrësi të lirohej nga italianët. Gjen. Piacentini reagoi sërish. Në zyrën e postës në Shijak mbërriti një telegram që sqaronte se komandanti italian i Tiranës kish mbledhur parinë e qytetit dhe u kish kërkuar atyre që mos mbështesnin qeverinë e Kongresit të Lushnjës.
Më 11 shkurt, duke shpërfillur gjithë paralajmërimet italiane, qeveria udhëtoi për në Tiranë. Pritja dhe entuziazmi i publikut ishte thuajse i pabesueshëm. Popullariteti i anëtarëve të qeverisë po ashtu. Pas një periudhe 8-vjeçare kaosi, shqiptarët po besonin tek vetvetja. Hyrja në Tiranë e qeverisë ishte triumfuese. Një aparat fotografik ka fiksuar këtë moment dhe drejtuesit kryesorë të saj, të rrethuar nga mijëra vetë. Tirana nuk kishte as zyra dhe as kushte për t’i strehuar, por, siç kish ndodhur edhe në Vlorë më 1912 dhe në Durrës më 1914, ndërtesat e vjetra të administratës turke u shndërruan në seli të qeverisë.
Parlamenti dhe Kryeministria u vendosën të dyja bashkë në shtëpinë e Zija bej Toptanit (aktualisht selia e Akademisë së Shkencave), njëra në katin e parë dhe tjetri në katin e dytë.
Më 15 shkurt 1920, pas një kërcënimi të ri italian, qeveria e zgjedhur në Lushnjë dhe e vendosur në Tiranë, njoftoi Gjen. Piacentin se nuk e njihte më qeverinë e Durrësit dhe deklaroi se do përplasej ushtarakisht me të. Ministri i brendshëm Ahmet bej Zogu shpalli mobilizimin e përgjithshëm të popullsisë. Të trembur nga zhvillimi i ngjarjeve, nga mbështetja e madhe e popullatës dhe nga etiketimi si “tradhtarë”, tre përfaqësuesit e qeverisë së Durrësit dhanë dorëheqjen. Po atë ditë, ata i dorëzuan arkivin ministrit të brendshëm. Ky gjest i befasoi italianët. Ata vendosën të kalojnë nga gjuha e forcës dhe e kërcënimit, tek ajo e diplomacisë dhe reciprocitetit.
Qeveria e Tiranës kishte korrur fitoren e parë, që do të pasohej, befas, nga një seri fitoresh, që për nga intensiteti dhe përmasat, nuk janë përsëritur në këto 100 vjet të historisë së shtetit shqiptar. Pas tërheqjes së italianëve dhe kapitullimit të qeverisë së Durrësit, më 20 shkurt 1920, vetëm nente ditë pasi ishte vendosur në Tiranë, qeveria e Kongresit të Lushnjës u njoh zyrtarisht nga gjithë qytetet e Shqipërisë. Selia e qeverisë mbeti në Tiranë.
Marrë me ndryshime nga Shekulli & Ilirida & Opinion.al





