Gazetari i njohur durrsak, Thanas Mustaqi, ka postuar mbrëmjen e sotme në profilin e tij në Facebook, 2 foto të realizuara në vitin 1997, në Durrës, nga fotografi i famshëm i Agjencisë Telegrafike Reuters, Yannis Behrakis.

“Më 2 mars 2019, ka vdekur në moshën 58-vjeçare, Yannis Behrakis, një nga fotografët më të dekoruar dhe më të dashur të Reuters-it. Vdekja ka ardhur pas një beteje të gjatë me kancerin”,- njofton ndër të tjera Mustaqi, duke iu referuar agjencive të lajmeve.

Në kujtim të Behrakis, Mustaqi poston dy nga fotot e tij më domethënëse të shkrepura në Durrës gjatë 16 marsit të vitit të mbrapshtë 1997, të cilat i shoqëron me rrëfimet e fotografit të Reuters nga ato kohë trazirash në Shqipëri.

Histori. / Plazhi i Durrësit, 16 mars 1997. Njerëz të armatosur kërkojnë para nga civilët, që shpresojnë të hipin në një anije për në Itali, pranë portit të Durrësit
Foto: Yannis Behrakis, Reuters.

Histori / Foto tronditëse: 16 mars 1997, burri me fëmijë që lutej të hipte në helikopter

Agjencia e famshme telegrafike Rojter (Reuters) ka publikuar, shkurt 2015, në 30-vjetorin e shërbimit të saj fotografik, pamjet më të famshme, ku përfshihet dhe një foto tronditëse të 18 vjetëve më parë në Durrës. Ishin momente dramatike kur shqiptarët për shkak të trazirave që pasuan rënien e skemave piramidale, orvateshin të largoheshin me çdo mënyrë nga Shqipëria.
Ja çfarë tregon krye-fotografi i Rojterit Yannis Behrakis: 
“Po mbuloja trazirat në Shqipëri pas falimentimit të skemave piramidale. Civilët shqiptarë kishin humbur 1,2 miliard dollarë dhe Shqipëria u zhyt në rrumpallë (disorder) civile dhe dhunë. Qeveria ra dhe u vranë 2 000 veta.
Kolegu im i ndjerë Kurt Schork [1947-24 maj 2000, i vrarë në Sierra Leone – “Dyrrah”-u] dhe unë ishin të vetmit përfaqësues të shtypit, që po qëndronim në një hotel, ku pronari i armatosur na mbrojti nga banditë, të cilët do të grabisnin çdo gazetar që guxonte të vinte vetëm për të ndjekur ngjarjen.
Pronari këmbëngulte të vendosnim kallashnikovë dhe granata dore në raftet e dhomave tona “për të mbrojtur veten në rast nevoje”, siç tha ai.
Më 16 mars [1997] shkuam me makinë në plazhin e Golemit, ku dy helikopterë amerikanë ishin ulur, duke krijuar një stuhi rëre sapo qindra shqiptarëve të dëshpëruar u mblodhën në këtë zonë, duke shpresuar t’i merrte një helikopter për t’i nxjerrë jashtë vendit.
I verbuar nga rëra kam shkrepur disa foto kur një burrë shqiptar që mbante fëmijën e tij vrapoi drejt helikopterit. Rreth një duzinë marinsësh amerikanë kërcyen nga “Super Stallion”-i dhe u treguan shqiptarëve pushkët mësymëse M-16.
Burri me fëmijën po u lutej ushtarëve ta lejonin të hipte në bord. Dukej qartë se marinsët ishin të befasuar nga turma dhe më pyetën se çfarë po ndodhte, dhe nëse kisha parë ndonjë të huaj që po përpiqej të largohej.
U shpjegova se këta njerëz ishin thjesht të dëshpëruar dhe donin të largoheshin nga Shqipëria, dhe se mendonin që helikopterët ishin atje për t’i marrë e çuar në një vend të sigurt.
Situata po dilte jashtë kontrollit dhe pati disa të shtëna paralajmëruese dhe njerëzit u goditën me qyta pushkësh.
Fakti që vendosëm të merrnim në sy rrezikun dhe të qëndronim në Durrës, u shpërblye. Gazetat në të gjithë botën i vunë këto foto në faqet e para”.