Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita theksoi sot rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve të ndryshme në vend për garantimin e sigurisë së jetës dhe pronës së qytetarëve, veçanërisht në situata emergjente dhe gjatë sezonit të verës kur rreziku i zjarreve rritet ndjeshëm.
Gjatë aktivitetit për prezantimin e masave për përballimin e situatës së zjarreve, Hita vlerësoi rolin e shërbimit zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor, duke nënvizuar se koordinimi mes tyre ka qenë vendimtar në reagimin e shpejtë, evakuimin e banorëve dhe minimizimin e pasojave në ngjarjet e fundit.
“Ngjarjet e fundit treguan dhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve dhe koordinimit mes shërbimit zjarrfikës, Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile dhe pushtetit vendor, për të bërë të mundur reagimin e shpejtë, evakuimin në kohë të banorëve dhe minimizimin e pasojave. Çdo sekondë është e vlefshme ndaj reagimi në kohë, është çelësi i parandalimit dhe neutralizimit të zjarrit, dhe garancia për të shpëtuar jetët në rrezik. Ndaj, Policia e Shtetit e konsideron bashkëpunimin me Shërbimin Zjarrfikës, Emergjencat Civile dhe Urgjencën Kombëtare, të domosdoshëm për garantimin e jetës dhe pronës së qytetarëve, nga fatkeqësitë, dhe për përballimin e emergjencave. Ne do të vijojmë të forcojmë këtë bashkëpunim, duke ndarë përgjegjësi, kapacitete dhe angazhim të përbashkët në shërbim të qytetarëve”, tha ai.
Sipas Hitës, Policia e Shtetit ka nisur tashmë masat parandaluese për sezonin e verës, përfshirë kontaktet me administratorët e njësive administrative dhe njoftimet për blegtorët mbi përgjegjësitë që mbajnë për territorin e marrë në përdorim, në rast të zjarreve.
“Jemi të vendosur për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që me dashje apo nga pakujdesia, shkaktojnë zjarr duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve”, tha ai.
Hita paralajmëroi gjithashtu se do të ketë masa ligjore ndaj çdo personi që, me dashje apo nga pakujdesia, shkakton zjarre duke rrezikuar jetën dhe pronën e qytetarëve.
Në fund të deklaratës së tij, ai shprehu vlerësim për efektivët e shërbimit zjarrfikës dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët, sipas tij, përballen shpesh me rreziqe të larta në kryerjen e detyrës.
“Ky është misioni ynë fisnik, t’u shërbejmë qytetarëve në çdo situatë, duke rrezikuar edhe jetët tona”, përfundoi Hita.





