Holanda ka përjetuar verën më të nxehtë që prej nisjes së regjistrimeve meteorologjike në vitin 1901.
Të dhënat e Institutit Meteorologjik Mbretëror të Holandës (KNMI) tregojnë se temperatura mesatare gjatë muajve të verës në stacionin kryesor të institutit në De Bilt arriti në 19,3 gradë Celsius.
Kjo temperaturë tejkaloi rekordin e mëparshëm prej 18,9 gradë Celsius, i vendosur në vitin 2018, raportoi transmetuesi publik holandez NOS.
Vera e këtij viti u karakterizua nga periudha të përsëritura të temperaturave shumë të larta, netë të nxehta dhe mungesë të zgjatur reshjesh.
Për shkak të temperaturave ekstreme, KNMI lëshoi edhe alarmin e parë të kuq për nxehtësi në muajin qershor.
Eksperti i klimës në KNMI, Peter Siegmund, theksoi se këtë verë u regjistrua numri më i madh i ditëve me temperatura mbi 35 gradë Celsius.
Po ashtu, u shënua një rekord për ditët tropikale dhe për netët kur temperaturat nuk zbritën nën 22 gradë.
Situata ishte veçanërisht e rëndë në jug të vendit. Në qytetin e Mastrihtit, temperaturat gjatë natës qëndruan mbi 22 gradë për tri net radhazi, diçka që nuk ishte regjistruar më parë.
Siegmund paralajmëroi se një verë e tillë mund të bëhet gjithnjë e më e zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike.
Sipas tij, temperatura të ngjashme me ato të këtij viti mund të regjistrohen aktualisht rreth një herë në pesë vjet.
Megjithatë, ai theksoi se politikat për uljen e emetimeve mund të ndikojnë ndjeshëm në temperaturat e ardhshme.
Sipas skenarëve të KNMI-së, deri në vitin 2050 mund të ketë një diferencë prej rreth 1 gradë Celsius mes skenarëve me emetime të larta dhe të ulëta, ndërsa deri në fund të shekullit kjo diferencë mund të arrijë në 4 gradë Celsius.





