Vila luksoze, hotele me pesë yje, apartamente dhe prona të shpërndara në të gjithë vendin janë pjesë e pasurisë marramendëse të sekuestruar nga SPAK në kuadër të goditjes së një grupi kriminal. Në total bëhet fjalë për 491 pasuri, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 150 milionë eurosh.
Pasuritë e vendosura nën sekuestro shtrihen nga Tirana, Durrësi dhe Elbasani, deri në Lezhë, Shkodër, Dhërmi dhe Sarandë, duke përfshirë toka, hotele, vila, apartamente dhe ambiente biznesi.
Në kompleksin turistik “Lalzi Marina Seaside” në Hamallaj, janë sekuestruar 121 vila, apartamente, dublekse, vende parkimi dhe mjete të tjera.
Në listën e pronave të sekuestruara figuron edhe hoteli luksoz me pesë yje “Zig Zag” në Jalë, me rreth 200 dhoma, si dhe “Hotel Elisa” në Tiranë. Nën sekuestro kanë kaluar gjithashtu vila të vendosura në rezidencat “Diamond Hill” dhe “Astoria” në zonën e Mjull Bathores.
Po ashtu katër shoqëri rezultojnë në pronësi të Isa Aliut: “Aliu Road House”, me aktivitet në disa qytete të vendit, “Green Invest” në Tiranë dhe Fier, ku zotëron 50% të kuotave, “Seavieu Development” në Hamallaj dhe “A.R.H Security” me aktivitet në Tiranë dhe Elbasan.















