Manchester United koleksionoi ditën e djeshme humbjen e radhës në Premier League, teksa Watford i mposhti me rezultatin e thellë, 4-1. Djajtë e Kuq dukeshin të përgjumur në fushë dhe në këtë formë kundërshtari përfitoi për të marrë pikët e plota, ndërsa kjo duket se do t’i kushtojë stolin trajnerit Ole Gunnar Solskjaer.

Norvegjezi prej kohësh është në diskutim të vendit të punës, por disfata ndaj Watford e ka bërë të kthjellët situatën për drejtuesit e klubit. Këta të fundit, në një mbledhje e cila mësohet të ketë zgjatur më shumë se katër orë, kanë dalë në përfundimin se skuadra ka nevojë për një ndryshim dhe se Solskjaer nuk mund të vazhdojë në krye sikur asgjë të mos ketë ndodhur.

Ndaj, mediat më prestigjioze të Kontinentit janë të sigurta se shkarkimi i trajnerit është thjesht çështje orësh, teksa sipas tyre palët kanë rënë dakord edhe për të përfunduar kontratën në mënyrë konsensuale. Sakaq, alternativa e parë për stolin e Manchester United është ajo e Zinedin Zidan, i cili duket i joshur për të provuar dinamikën e kampionatit anglez pas aventurës së suksesshme me Real Madrid.