Eraldo Fizi, ish-bashkëshorti i të resë e cila u vetëvra disa muaj më parë do të dalë ditën e sotme para gjykatës. Ai akuzohet se ka shkaktuar vetëvrasjen e Xhuana Nikollajt, pasi dyshohet se e ka dhunuar fizikisht. Seanca do të nis sot në orën 11:40, nën drejtimin e gjyqtares Matilda Fetahu. Fizi dyshohet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes, si dhe për dhunë fizike në një rast dhe u arrestua ditën e djeshme pas më shumë se 6 muajsh në arrati. Fizi ishte shpallur në kërkim që në mars të këtij viti. 

Arrestimi i tij u bë pas bashkëpunimit mes Komisariatit Nr. 2 në Tiranë dhe Komisariatit të Lezhës, si dhe pas kontakteve me familjarët dhe avokatin e tij, të cilët kanë bërë të mundur dorëzimin e tij. Aktualisht Fizi ndodhet në Lezhë dhe pritet të transferohet në Tiranë.

Autopsia ka treguar se Xhuana kishte shenja dhune në trup, ndërsa natën e ngjarjes Eraldo Fizi ishte takuar me të ndjerën. Ata kishin udhëtuar drejt Shëngjinit, ndërsa dyshohet se gjatë rrugës Fizi e ka dhunuar të renë në makinë. Gjithashtu rezulton se natën e krimit, Fizi është gjobitur për tejkalim shpejtësie nga policia pranë ish-sheshit “Shqiponja”.

Para se të ndërmerrte aktin fatal, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër, ku shkruante se nuk donte më që ata njerëz që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin. Po ashtu, në fund të letrës, ajo u kërkonte ndjesë nënës dhe babait të saj.