Një i dënuar i cili po vuan dënimin e tij në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit, prej 5 ditësh është futur në grevë urie. Këtë e ka bërë të ditur vetë i burgosuri Valmir Hoxhaj nga Malësia e Madhe.
Në një letër të dërguar për Fax News, Hoxhaj thekson se transferimi i tij në këtë burg është i padrejtë pasi fillimisht e kanë tranferuar nga burgu i Peqinit për në Reç të Shkodrës, por aty e kanë mbajtur vetëm 24 orë dhe më pas e kanë transferuar në Burrel. I dënuari me burgim të përjetshëm thotë se ky transferim është i padrejtë dhe se argumenti i dhënë nuk qëndron pasi atje nuk i rrezikohet jeta, siç është një ndër arsyet e transferimit.
Në letrën e tij, Valmir Hoxhaj akuzon strukturat drejtuese të burgut të Reçit që sipas tij kanë shkelur ligjin disa herë duke futur brenda burgut sende të paligjshme dhe kjo nuk do të ishte e lehtë më pas.
Ai i bën thirrje Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Avokatit të Popullit të reagojnë dhe ta rikthejnë në burgun e Reçit ku ka edhe vëllain si dhe familjen, pasi deklaron se nënën e ka të sëmurë, në të kundërt – thotë ai, do të vijojë grevën e urisë deri në vetëflijim.