Këtë të martë është transferuar nga Shqipëria në Kosovë një shtetas kosovar, i cili është dënuar për trafikim armësh dhe municioni.

Sipas njoftimit të policisë, ai është dënuar në Shqipëri me pesë vite burg për trafikim armësh dhe municioni. Pas vuajtjes së një pjese të dënimit në Shqipëri, shtetasi kosovar është dorëzuar pranë Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

“Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim dhe bashkëpunim me njësit e tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë,  me datën 09.06.2026 përmes pikës kufitare në Morinë, ka realizuar me sukses transferimin e një shtetasi kosovar nga Shqipëria për në Kosovë. Ky shtetas ishte dënuar në shtetin e Shqipërisë me pesë vjet burgim për veprën penale “trafikim i armëve dhe municionit”, ku  i njëjti pas transferimit i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, pasi që një pjesë të dënimit e kishte vuajtur në Shqipëri .

Ky transferim u realizua bazuar në ligjet në fuqi, marrëveshjet dypalëshe dhe bashkëpunimin e ngushtë mes institucioneve të R. Kosovës dhe atyre shqiptare.

Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, do të vazhdojë me shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore,  shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të aktiviteteve kriminale që ndërlidhen me hetimin e kryesve të veprave penale, si dhe aktivitete tjera në gjurmimin, kapjen-arrestimin e personave dhe grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftimin e policisë.