N𝒈𝒂 𝑫𝒓. 𝑩𝒍𝒆𝒅𝒂𝒓 𝑲𝒖𝒓𝒕𝒊

Më 4 prill 1968 u vra Martin Luther King Jr, emblema e njeriut të përkushtuar në mbrojtje të drejtave civile në SHBA. King u qëllua me armë nga James Earl Ray por prej dekadash ai atentat u konsiderua si komplot, për këtë arsye më 23 janar 2025, Presidenti Donald Trump nënshkroi një Urdhër Ekzekutiv që deklasifikon informacionin dhe të dhënat në lidhje me këte vrasje.

Përpos rolit të jashtëzakonshëm që King luajti në mbrotjen e të drejtave civile ai ka hyrë në histori edhe për fjalimin e tij sublim “Unë kam një ëndërr” (I Have a Dream) një fjalim publik që u mbajt prej tij gjatë marshimit në Washington D.C. Në fjalimin e tij King bëri thirrje për të drejtat civile dhe ekonomike dhe për t’i dhënë fund racizmit në Shtetet e Bashkuara. Fjalimi u mbajt përpara mbi 250,000 njerëzve nga shkallët e Memorialit të Lincoln-it në kryeqytetin amerikan. Fjalimi shënoi një nga momentet më të rëndësishme të lëvizjes për të drejtat civile dhe mbetet një ndër fjalimet më ikonike në historinë amerikane.

“Le të mos zhytemi në luginën e dëshpërimit. Edhe pse përballemi me vështirësitë e së sotmes dhe të së nesërmes, unë ende kam një ëndërr. Është një ëndërr e rrënjosur thellë në ëndrrën amerikane. Unë kam një ëndërr që një ditë ky komb do të ngrihet dhe do të jetojë kuptimin e vërtetë të besimit të tij: Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë.

Unë kam një ëndërr që një ditë çdo luginë do të lartësohet, çdo kodër dhe mal do të sheshohet, vendet e thepisura do të bëhen të rrafshnalta dhe vendet e shtrembërta do të drejtohen dhe lavdia e Zotit do të shfaqet dhe çdo mish do ta shohë së bashku atë lavdi.

Kjo është shpresa jonë. Ky është besimi ynë. Me këtë besim, ne do të jemi në gjendje të nxjerrim nga mali i dëshpërimit një gur shprese. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje t’i shndërrojmë mosmarrëveshjet rrëqethëse të kombit tonë në një simfoni të bukur vëllazërie. Me këtë besim ne do të jemi në gjendje të punojmë së bashku, të lutemi së bashku, të luftojmë së bashku, të vuajmë së bashku, të ngrihemi së bashku për lirinë, duke e ditur se një ditë ne do të jemi të lirë.”