Kremlini ka thënë të hënën se e ka marrë propozimin e Kinës për zgjidhje politike në Ukrainë, mirëpo për momentin nuk ka kushte për zgjidhje paqësore për konfliktin.

“Ne i kemi kushtuar shumë vëmendje planit të miqve tanë kinezë”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov të hënën, duke shtuar se “tani për tani, ne nuk shohim që i kemi kushtet drejt paqes”.

Kina ka synuar që ta paraqesë veten si palë neutrale në luftën e Rusisë në Ukrainë, ndonëse i ka mbajtur lidhjet e saj strategjike me Moskën.

Javën e kaluar, Pekini ka prezantuar një plan 12-pikësh për dhënie fund të luftës në Ukrainë, në të cilin është përfshirë respektimi i sovranitetit territorial të të gjitha shteteve.

Ministria e Jashtme ruse e ka falënderuar Kinën për përpjekjet, mirëpo ka thënë se çdo zgjidhje për konfliktin duhet të përfshijë kontrollin e Rusisë mbi katër rajone ukrainase.

Rusia pretendon se ka aneksuar rajonet ukrainase, Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson, mirëpo nuk i ka kontrolluar ato asnjëherë plotësisht.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se shteti i tij duhet të punojë me Kinën, duke argumentuar se i duket që ky shtet “ka respekt për integritetin territorial dhe çështjet e sigurisë”.

Zelensky ka thënë, po ashtu, se është i bindur që vetëm një shtet, territori i të cilit është duke u sulmuar, mund të iniciojë “iniciativa për paqe”.

Publikimi i propozimit kinez ka ardhur pas akuzave të Perëndimit se Kina po shqyrton mundësinë e dërgimit të armëve në Rusi.

Pekini, në anën tjetër, e ka hedhur poshtë këtë pretendim./REL