Një i ri shqiptar është futur në shtëpinë e një të moshuare italiane, në atë kohë 75 vjeçe, me justifikimin për t’i kërkuar një gotë me ujë, por u përpoq ta përdhunonte.
Ngjarja ka ndodhur në një apartament në rrugën “Flaminia” në Ankona, më 23 qershor të vitit 2011, por sot Gjykata e Apelit e Ankonës konfirmoi dënimin me burg me gjashtë muaj, dënim me kusht, për Fation Xhezairin, 31-vjeçarin shqiptar, i akuzuar për sulm seksual në tentativë, shkruan media italiane “Corriere Adriatico”.
Sipas dëshmisë së gruas, kur shqiptari i ka kërkuar ujë, ajo e ka futur brenda në shtëpi. Teksa po shkonte në kuzhinë, ai e ka ndjekur dhe ka tentuar ta puthë. E kishte tërhequr pas vetes duke bërë edhe veprime të turpshme, që sipas gruas, ndoshta ai ishte dhe i dehur.
Gruaja 75-vjeçare ka filluar të bërtasë dhe atë e ka dëgjuar një fqinje e cila po zbriste për shëtitje me qenin. Ndërsa i riu ka dalë me vrap duke zbritur shkallët e pallatit.
Gjithë këtë skenë të treguar nga e moshuara italiane, i akuzuari e ka përgënjeshtruar, duke argumentuar se italiania e ka keqkuptuar sjelljen e tij.
S.L.





